Letra e Bidenit për Vuçiçin pa “njohjen reciproke”, Kurti: Ende s’e kam lexuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një prononcim për media është pyetur lidhur me faktin që presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk e ka përmendur finalizimin e dialogut me njohje reciproke në letrën që ia ka shkruar Aleksander Vuçiçit me rastin e ditës së pavarësisë së Serbisë.

Kurti ka thënë se ende s’e ka lexuar atë letër dhe se s’është autor i saj, derisa ka shtuar se beson që SHBA vazhdon të jetë partner i Kosovës në shtetndërtim, zhvillim ekonomik e normalizim të raporteve me Serbinë.

“Unë nuk e kam lexuar atë letër ende dhe natyrisht që nuk e kam shkruar unë, prandaj besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesor në shtetndërtimin tonë demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke.Natyrisht që do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje përveç njohjes reciproke por ajo është në qendër”, tha Kurti.

Kryeministri po ashtu për serbët lokalë tha se kanë takime të vazhdueshme me ta, për t’i dëgjuar hallet e tyre.

“Dialogu me serbët lokalë është I përditshëm, përgjithësisht jo publik edhe vizitat në terren, edhe pritjet e tyre në minsitri dhe kryeministri tona janë të rregullta, ne takohemi me ta për hallet e tyre që janë të aspektit social e ekonomik, por edhe të drejtësisë dhe të qasjes sa më të kollajshme në institucionet  e vendit tonë”, tha Kurti para gazetarëve.


Shtuar 15.02.2023 15:52