Leku vijon të forcohet edhe në shtator

Leku fitoi terren këtë javë në kursin e këmbimit me Euron. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane të Premten këmbehej me 106.37 lekë. Kursi Euro-Lekë ka zbritur në nivelin më të ulët, që prej datës 18 Gusht që ishte 106.01 Lekë.

Ndërsa Dollari amerikan luhatet më poshtë së 100 lekëve, por megjithatë të Premten sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë shënoi një rritje të lehtë dhe u këmbye me 100.04 Lekë.

Edhe shumica e valutave të tjera po ndjekin rënien e Euros. Paundi britanik zbriti në 122.44 Lekë, niveli më i ulët që prej mesit të muajit Gusht. Franga zvicerane zbriti në 110.40 Lekë, edhe kjo në nivelin më të ulët prej një muaji.

Muaji Shtator po konfirmon pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit valutor. Megjithëse periudha e pikut e sezonit turistik ka kaluar, monedha europiane nuk ka arritur një ringritje të qëndrueshme. Mes datave 23 dhe 25 Gusht, kursi i Euros fitoi pothuajse pesë pikë brenda pak ditëve, duke arritur deri në nivelin e 110.67 Lekëve.

Por ashtu siç ka ndodhur disa herë të tjera këtë vit, forcimi i Euros ka rezultuar shumë afatshkurtër.

Ekspertët mendojnë se efekti i turizmit në kursin e këmbimit tashmë paraqitet më i shtrirë në kohë. Nëse deri para disa vitesh këto efekte shtriheshin kryesisht gjatë muajve Korrik dhe Gusht, zgjatja e sezonit ka bërë që ndikimi sezonal të shtrihet dhe në Shtator.

Madje sipas tyre edhe në muajit në vijim Euro nuk do të arrijë të fuqizohet dhe të kapë nivelin e mëparshëm të këmbimit me mbi 120 Lekë. Ekspertët parashikojnë se niveli maksimal i këmbimit të Euros për muajit e mbetur të këtij viti pritet të arrijë në nivelin e 112-113 Lekë.


Shtuar 23.09.2023 19:13