Laert Haxhiu do “hiqte qafe” njerëzit e drejtësisë, Delegacioni i BE dhe Ambasada Britanike të shqetësuar: Autorët para përgjegjësisë

Pas ambasadës amerikane, ka reaguar edhe ambasada e Britanisë së Madhe, lidhur me kërcënimet ndaj përfaqësuesve të drejtësisë në vend.

Përmes një postimi në Fcebook, ambasada  ka shprehur shqetësimin lidhur me kërcënimet kundër hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri, ndërsa shton se të gjithë ata që punojnë në Sistemin e Drejtësisë duhet të jenë të lirë të kryejnë punën e tyre, pa frikë apo favore.

Më tej në deklaratë thuhet se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë ata në misionin e tyre jetik për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë.

Reagimi i plotë:

Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësimin lidhur me kërcënimet kundër hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri. Të gjithë ata që punojnë në Sistemin e Drejtësisë duhet të jenë të lirë të kryejnë punën e tyre, pa frikë apo favore. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë ata në misionin e tyre jetik për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë.

Sakaq, reagimeve i është bashkuar edhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri, i cili shpreh shqetësimin lidhur me kërcënimet. BE u kërkon autoriteteve shqiptare të hetojnë me shpejtësi këto kërcënime dhe të vënë para përgjegjësisë autorët.

Reagimi i plotë:

Delegacioni i BE-së në Shqipëri është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve të drejtësisë që punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe për të mbajtur përgjegjës autorët. BE-ja mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, dënon çdo formë sjelljeje kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për forcimin e shtetit të së drejtës.

Artan Tafani, pjesë e bandës së Laert Haxhiut ka deklaruar se po thurej plani për ‘të hequr qafe’ magjistraten Merita Selimi si dhe prokuroren Doloreza Musabelliu si dhe avokatin e Lushnjës, Adriatik Doga.

“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes. I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka deklaruar i penduari Tafani.

/Albeu.com


Shtuar 4.10.2023 18:32