Batutat e Ramës: Kur Zoti krijoi Shqipërinë ishte e diel dhe e kishte pushim, por ishte i stresuar

Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama, ka folur nga konferenca për sigurinë e turizmit, por nuk ka shmangur as batutat.

Gjithashtu, kreu i qeverisë u shpreh se kur Zoti krijoi Shqipërinë, e kishte pushim dhe ishte ditë e diel.

Mes të tjerash ai shtoi; “ kur bëri shqiptarët ishte i zënë dhe i stresuar”.

“Ne jemi vend i vogël, por kemi një bekim shumë të madh. Zoti kur bëri Shqipërinë e bëri ditën e diel kur ishte pushim. në 28 mijë km2 a futur çdo gjë, dy dete, 9 lumenj, male, lugina fantastike, pasuri nëntokësore, çdo gjë që mundshme dhe të imagjinueshme për ta patur në një distancë shumë të shkurtër, zoti e ka futur në hartën e Shqipërisë.

Nuk e di çfarë intensiteti pune ka patur kur bëri shqiptarët, por kur bëri Shqipërinë ishte e diel dhe e kishte pushim. Kur bëri shqiptarët ka qenë shumë i zënë me siguri dhe në një moment stresi ka nxjerrë shqiptarët. Dhe nga ai moment stresi shqiptarët dolën aq sa të jashtëzakohshëm kur janë vetëm dhe kur janë përballë një sfide ku nuk kanë kujt t’i drejtohen tjetër veç forcave të veta si individë, hidhi ku të duash, aq edhe të jashtëzakonshëm pastaj për t’u ngrënë me njëri-tjetrin”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama tha ndër te tjera se “Shqipëria ka hyrë në Champions League e konkurrencës në turizëm dhe ky është sa një moment historik, aq edhe sfidash të gjithanshme”. “Ne kemi hyrë në Champions, por duhet të mbetemi në Champions, Italia, Greqia, Franca, Spanja, Kroacia, Sllovenia nuk bien nga Champions, nuk shkojnë në kupën UEFA“, shtoi kryeministri duke theksuar se është momenti që Shqipëria të kërkojë turistë cilësorë që sjellin më shumë të ardhura në buxhet.