Laboratori i kokainës në Fier, si u arratis kimisti kolumbian, grupi kriminal qëlloi me armë agjentët e policisë

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me sekuestrimin e mbi 480 kilogramëve kokainë kolumbiane të tretur në pleh artificial në Grakull të Fierit katër muaj më parë.

Nisja e operacionit të para katër muajve në Frakull të Fierit, ku u gjet një sasi prej 485 kg kokaine kolumbiane e tretur ne pleh artificial, është nxituar nga disa të shtëna me armë zjarri.

Burime pranë SPAK konfirmuan se ndërhyrja u përshpejtua, pasi është qëlluar drejt grupeve të vëzhgimit në fshatin ku ishte planifikuar ndërtimi i laboratorit ku do të ekstraktohej kokaina.

Për shkak të rrezikimit të jetës së punonjësve të policisë, por edhe dekonspirimit të operacionit është nisur operacioni që çoi në pranga disa persona mes të cilëve ish-kryekomunarin, Viktor Cervanaku, vëllanë dhe djalin e tij.
Në të njëjtën ditë, ka mundur t’i shpëtojë prangave kimisti kolumbian Zamir Rodrigez.

Ndonëse ka qenë nën vëzhgim gjatë vizitave të tij në laborator, ai është larguar përmes një automjeti.

Sipas burimeve, ai është ndjekur në distancë, por në zonën e Vorës ka devijuar nga rruga kryesore dhe i ka humbur gjurmët në aksin Vorë-Fushë Krujë. Për të njëjtin hetim, SPAK ka dërguar letër-porosi autoriteteve kolumbiane dhe malazeze, por ende nuk ka marrë përgjigje për to./AlbEu.com/