Kuvendi miratoi zgjatjen e Vettingut, reagon Ambasada e SHBA: Hap i rëndësishëm drejt integrimit europian

Ambasada e SHBA-be në Tiranë, përmes një postimi në Facebook, ka përshëndetur votimin me 118 vota pro nga Kuvendi për zgjatjen e afatit për organet e Vettingut.

Ambasada shkruan se ky është një hap i rëndësishëm për një sistem më të fortë drejtësie dhe për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vetingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit europian. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin gjithmonë Shqipërinë përgjatë kësaj rrugë të rëndësishme”, thuhet në deklaratë./albeu.com

 

Edhe delegacioni i OSBE në Tiranë ka përshëndetur votimin në Kuvend për zgjatjen i organeve të vettingut deri në vitin 2024.

Me një postim në Twitter, OSBE shkruan se përfundimi i reformës në drejtësi është me rëndësi kyçe, teksa shton se prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret vendimin ndërpartiak të Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut. Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar. Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë. Po ashtu, përshëndesim ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në postim.


Shtuar 10.02.2022 19:32