Mijëra demokratë janë mblëdhur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike.
Ky Kuvend vjen një javë më pas atij të mbledhur nga Sali Berisha në stadiumin Air Albania.
Sipas burimeve, bëhet me dije se Bashës i janë bashkuar shumë anëtarë të kryesisë së PD-së, Grupit Parlamentar dhe Këshillit Kombëtar.
Siç është paralajmëruar në mbledhjen e sotme të Kuvendit, pritet të miratohen disa ndryshime të rëndësishme statutore.
Kampet kundërshtare brenda Partisë Demokratike këtë të shtunë po organizojnë dy aktivitetet më të rëndësishme që do të dëshmojnë dhe qëndrimet e shumicës.
Nga ana tjetër është Berisha i cili mban një referendum për të ratifikuar shkarkimin e Bashës, vendim të marrë një javë më parë në Kuvendin e zhvilluar me 11 dhjetor.
PD është tashmë me dy statute në Gjykatën e Tiranës, njëri i dorëzuar nga Lulzim Basha i ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike në 17 korrik dhe një tjetër dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD, për regjistrim statutin e ri të miratuar në Kuvendin e Berishës me 11 dhjetor.
Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës, ndërsa ditët në vijim pritet të jenë mjaft vendimtare për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Rendi i ditës për Kuvendin Kombëtar të PD:
Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.
Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”./albeu.com/