Kuvendi i Kosovës mblidhet sërish sot për zgjedhjen e presidentit

Mbrëmjen e djeshme, si pasojë e mungesës së kuorumit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri është shtyrë për të dielën (sot).

“Seanca do t’i vazhdojë punimet nesër, më 4 prill në orën 17:00”, tha kreu i kuvendit, Glauk Konjufca.

  Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin. Kundërshtari i saj është Nasuf Bejta.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.

Më pas presidenti mund të zgjidhet me 61 vota.

Shtuar 4.04.2021 08:04