“Çka është qëllimi i propozimit evropian, a ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale, a është ky vazhdim i dialogut apo pikënisje e re, a ka kornizë kohore ky dialog?”, këto ishin disa nga pyetjet e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës po mbanë debat parlamentar për zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u tha që Kurti duhet të jetë “i sinqertë dhe transparent” për këtë proces.
Debati parlamentar lidhur me dialogun është iniciuar nga subjekti opozitar PDK, që në kërkesën e shkruar ka thënë se në dy vitet e fundit, dialogu ka hyrë në rrugën që nuk qon drejtë marrëveshjes finale.
Tutje, Krasniqi shtroi dhe pyetje tjera, që kryesisht lidheshin me propozimin evropian. “Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi dhe a e parasheh njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve i njëjti? Si dhe, a parashihet vazhdimi i dialogut edhe pas marrëveshjes”, pyeti ai.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike, për të evoluar një vit më pas në dialog politik.
Aktualisht, të dyja palët janë duke e shqyrtuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që më herët njihej si plani franko-gjerman.
Kryeministri Kurti, ka deklaruar më herët se propozimi i propozimi i Bashkimit Evropian nuk është marrëveshje finale, por një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare.
Ai ka pranuar propozimin si të tillë dhe ka shprehur gatishmërinë për takimet e radhës të nivelit të lartë politik me Serbinë, në kuadër të këtij dialogu në Bruksel.
Ky veprim i Kurtit është përshëndetur nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /REL