Nga Gerald Hughes “The Conversation”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Një grup rezistence i tatarëve të Krimesë, një komunitet etnik vendas në gadishullin e pushtuar nga Rusia, është tashmë një lojtar me peshë në Luftën e Ukrainës. Lëvizja Atesh (zjarri), është zotuar se do të zhvillojë një luftë të pandalshme kundër pushtuesve rusë të Ukrainës.
E themeluar në shtatorin e vitit të kaluar, Atesh kërkon që të shkatërrojë logjistikën, të sabotojë objektivat kryesore dhe të ngjallë pakënaqësi edhe brenda ushtrisë së presidentit rus Vladimir Putin. Metodat e kësaj lëvizjeje janë të pamëshirshme, siç dëshmohet nga vrasja e 30 ushtarakëve rusë në spitalet në Simferopol në nëntor 2022.
Edhe metodat e tyre janë shumë efektive. Në shkurt të këtij viti, grupi pretendoi se mbi 4.000 ushtarë rusë ishin trajnuar tashmë nëpërmjet një kursi në internet (në Shkollën Atesh) se si t’i mbijetonin luftës duke i sabotuar pajisjet e tyre.
Mustafa Dzhemilev, lideri tatarëve të Krimesë, të cilit Rusia ia ka ndaluar të hyjë në Krime deri në vitin 2034 , deklaroi së fundmi se “Atesh i ka hedhur rrënjët thellë në terren… ata po punojnë brenda Krimesë … duke hedhur në erë objektivat e përcaktuara”. Serhii Kuzan, kreu i qendrës së Ukrainës për Siguri dhe Bashkëpunim me bazë në Kiev, tha se “ideja është që pushtuesi ta ndiejë gjithmonë praninë e partizanëve, në mënyrë që të mos ndihet asnjëherë i sigurt”.
Grupimet guerile, duke përfshirë lëvizjen Ateshi, po përdorin një sërë metodash për të dëmtuar ushtrinë ruse në Krime por edhe më tej. Kur Atesh mori përgjegjësinë për “likuidimin” e ushtarëve rusë në spitalet e Simferopolit, paralajmëroi: “Kontrolloni repartet, kontrolloni morgjet… mund ta kontrolloni këtë fakt 300 herë, por kjo është e vërteta”.
Ashtu si me shumë incidente në këtë luftë, dhe kjo vlen për aktet e kryera nga të gjitha palët, verifikimi i pretendimeve të tilla është jashtëzakonisht i vështirë. Ajo që ne dimë është se forcat partizane në rajonet Kharkiv, Zaporizhzhia dhe Kherson, kryen së fundmi një fushatë të koordinuar me afishe dhe fletushka kundër të ashtuquajturës “Bota Ruse”.
Përveç kësaj, duke imituar një taktikë të adoptuar nga konfliktet e mëparshme, Ukraina thuhet se ka hedhur nga ajri fletëpalosje mbi pozicionet ruse me mesazhin: “Ushtar rus, nëse nuk dëshiron të jesh nazisti i shekullit XXI-të, atëherë largohu nga toka! Përndryshe ju pret fati i ushtarëve të Hitlerit dhe Gjykata e Nurembergut!”.
Përmendja e të kaluarës është joshëse për Kievin, pasi lufta partizane luajti një rol të madh në fitimin e luftës civile ruse (1917-1923), dhe asaj që Rusia e përkujton sot si “Lufta e Madhe Patriotike” (1941-1945). Krahasimi i ushtrisë së sotme ruse me pushtuesit nazistë të Luftës së Dytë Botërore, është tërësisht në kundërshtim me versionin e historisë së Putinit.
Kremlini i akuzon nacionalistët ukrainas se bashkëpunuan dhe u përfshinë në vrasje masive gjatë pushtimit nazist. Propaganda ruse pretendon se lufta aktuale është projektuar për të “de-nazifikuar” Ukrainën. Po kush janë tatarët?
Ata që njohin historinë e Rusisë, Ukrainës dhe tatarëve të Krimesë, nuk do të habiten nga armiqësia e këtyre të fundit ndaj manifestimit më të fundit të imperializmit moskovit. Në dallim nga rusët që janë sllavë, tatarët e Krimesë janë një grup etnik turk me origjinë nga gadishulli i Krimesë.
Kombi tatar i Krimesë u formua gjatë 4 shekujve (rreth viteve 1200-1650) dhe u bashkua me valët e emigrantëve. Caresha Katerina e Madhe e aneksoi Krimenë në vitin 1783. Më pas Perandoria Ruse u përpoq të “rusifikonte” tatarët e Krimesë përpara revolucionit të vitit 1917.
Nën sundimin e Josif Stalinit (1924-1953), Bashkimi Sovjetik u angazhua në shtypjen aktive të tatarëve të Krimesë. Kjo detyroi një pjesë të tyre të bashkëpunonin me gjermanët pas pushtimit nazist të qershorit 1941. Stalini i akuzoi tatarët e Krimesë për tradhti dhe dëboi shumë prej tyre nëpër Gulagë.
Edhe pse disa tatarë të Krimesë shërbyen në radhët e fuqive të Boshtit, më shumë shërbyen në Ushtrinë e Kuqe. Deportimi i të paktën 180.000 personave në Azinë Qendrore në vitin 1944 ishte një nga kapitujt më të dhimbshëm në historinë e tatarëve (i kujtuar si Sürgün, mërgimi).
Në vitet 1960, kërkimet nga aktivistët tatarë vlerësuan se rreth 100.000 prej tyre vdiqën (edhe të dhënat sovjetike tregojnë se 30.000 tatarë të Krimesë vdiqën në më pak se 2 vjet pas dëbimeve). Vetëm në shtatorin e vitit 1967, Sovjeti Suprem, organi më i lartë legjislativ në BRSS, e pranoi se akuza për tradhti kundër të gjithë kombit tatar të Krimesë kishte qenë “e paarsyeshme”.
Trembëdhjetë vjet më parë, Sovjeti Suprem kishte votuar për transferimin e Krimesë në Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës nga Republika Socialiste Federative Sovjetike Ruse. Në atë kohë ky akt nuk ishte edhe aq i diskutueshëm, duke pasur parasysh se të dy entitetet ishin atëherë pjesë përbërëse të Bashkimit Sovjetik.
Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 ndryshoi gjithçka. Shumica e tatarëve u lejuan të riktheheshin në Krime vetëm në vitin 1989, nën udhëheqjen e reformatorit sovjetik Mikhail Gorbachev. Tatarët nuk morën asnjë kompensim për humbjet e tyre, dhe kthimi i tyre në shtëpi shkaktoi tensione me rusët etnikë dhe ukrainasit, shumë prej të cilëve ishin zhvendosur në gadishull pas vitit 1944.
Pasi Ukraina u bë e pavarur në vitin 1991, liderët tatarë pretenduan se autoritetet e Kievit i pengonin enkas njerëzit e tyre të zinin punë në qeveri, duke lejuar fshehurazi “rrëmbimin e tokës së tyre”. Megjithatë, gradualisht, armiku i përbashkët nxiti afrimin mes tatarëve të Krimesë dhe Ukrainës.
Ata u bënë mbështetës të flaktë të shtetit të ri ukrainas, dhe nganjëherë quheshin “ukrainasit më të mëdhenj në Krime”. Në vitin 1897, tatarët vendas të Krimesë përbënin 34.1 për qind të popullsisë së Krimesë. Për shkak të spastrimi etnik i Stalinit, deri në vitin 2001 rusët përbënin 58 për qind të popullsisë së Krimesë, ndërsa tatarët vendas përfaqësonin vetëm 12 për qind.
Pushtimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ishte për tatarët një rikthim tragjik në të kaluarën. Rusët nisën menjëherë një program të tiranisë sistematike. Këto persekutime vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Asambleja vetëqeverisëse e tatarëve të Krimesë, Mejlis, e drejtuar nga Mustafa Dzhemilev u nxor jashtë ligjit, teksa u shmagën referencat publike për dëbimet e epokës staliniste.
Pas vitit 2014, mijëra tatarë u larguan nga Krimea e pushtuar nga Rusia për në Ukrainë. Aktivisti dhe politikani tatar Ilmi Umerov i tha Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse se “Unë nuk e konsideroj Krimenë pjesë të Federatës Ruse”.
Ai u dërgua forcërisht në një spital psikiatrik. Duke demonstruar një solidaritet ukrainaso-tatar, Verkhovna Rada (parlamenti ukrainas) miratoi në nëntor 2015 një mocion që denonconte si “gjenocid” dëbimet e vitit 1944. Ky precedent e inkurajoi Letoninë, Lituaninë dhe Kanadanë të ndiqnin këtë shembull në vitin 2019.
Në vitin 2021, Verkhovna Rada miratoi një ligj që i njihte tatarët e Krimesë si një nga popujt autoktonë të Ukrainës. Për sa kohë që vazhdon lufta aktuale, dhe duke pasur parasysh kontributin e rëndësishëm ushtarak të tatarëve të Krimesë, Kievi do të jetë më i hapur ndaj çështjes së vetëvendosjes së kombit tatar të Krimesë.
Eksperti i studimeve ukrainase Rory Finnin argumenton se e ardhmja e Krimesë është thelbësore për çdo zgjidhje që mund të pasojë luftën aktuale. Ukraina e humbi kontrollin e Krimesë në vitin 2014. Por përpjekjet e tatarëve të Krimesë në konfliktin aktual po kontribuojnë ndjeshëm në aftësinë e Kievit për të shmangur humbjen përballë Rusisë. /albeu.com