Revolucioni i ardhshëm rus do të çlirojë demonë të rinj të tmerrshëm

Nga Richard Kemp “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sulmi më i fundit verbal i Yevgeny Prigozhin kundër Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe rrjedhimisht ndaj vetë Kremlinit, nuk duhet të shihet vetëm si një shaka e radhës nga një njeri i vrazhdë që ka një rekord të gjatë në këtë aspekt.

Kërcënimet e tij të jashtëzakonshme për dhunë të brendshme në Rusi – “për turmat me sfurqe nëpër duart” – madje edhe për revolucion, janë një tregues i qartë se sa serioze po bëhen gjërat në prapaskenë për regjimin e Vladimir Putinit.

Siç mund të pritej Prigozhin nxitoi të pretendonte meritat e forcave të tij mercenare të Wagner Group në pushtetin e qytetit Bakhmut. Por në reagimin e tij ai i kushtoi enkas më shumë rëndësi kostos. Prigozhin pretendoi se 20.000 nga njerëzit e tij ishin vrarë, shifër që me siguri e nënvlerëson numrin real.

Për me tepër asaj duhet t’i shtojmë një numër shumë të madh viktimash nga ushtria e rregullt ruse. Duke qenë se zotërimi i Bakhmut nuk i sjellë Rusisë asnjë përfitim të dukshëm strategjik apo edhe taktik, fjalimi apokaliptik i Prigozhin mund të krahasohem me atë të mbretit Pirro të Epirit, që ai mundi romakët në betejën e Asculum kur deklaroi se “edhe një fitore tjetër si kjo do të dërrmonte fare”.

Bakhmut është deri tani alegoria tipike e gjithë luftës të Rusisë në Ukrainë. Ajo ka shkaktuar dëme të mëdha dhe me një kosto të madhe duke mos ofruar asnjë përfitim. Nëse vazhdon në këtë kurs, vizioni i Prigozhin për revolucionin nuk është tërësisht i pamundur. Ai foli për vitin 1917, kur ushtarët dhe familjet e tyre u ngritën kundër qeverisë ruse. Në fakt, s’ka nevojë të ktheheni kaq larg në kohë, për të gjetur paralelizmin e duhur me atë që po ndodh sot. Lufta në Afganistan, luajti një rol të madh në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

E konceptuar fillimisht si një ndërhyrje afatshkurtër, ashtu si Ukraina sot, ajo fushatë ushtarake vazhdoi për 10 vjet, dhe i kushtoi jetën më shumë se 15.000 sovjetikëve.

Humbja e shkaktuar nga luftëtarët muxhahidinë të armatosur nga SHBA-ja, e poshtëroi dhe diskreditoi ushtrinë sovjetike.

Duke prishur kështu lidhjen që ishte aq shumë thelbësor për mbajtjen e vendit të bashkuar. Humbja e perceptimit të pathyeshmërisë ushtarake i inkurajoi disidentët, përfshirë veteranët e pakënaqur të luftës dhe familjet e tyre, veçanërisht në republikat jo-ruse, të deklarojnë një sasi jo-proporcionale të trupave luftarake por edhe të viktimave.

Po ashtu, Afganistani e minoi besimin e liderëve sovjetikë për t’u mbështetur te ushtria për të shuar rebelimin. Në mesin e popullatës u rritën ndjenjat kundër luftës, dhe ndërsa konflikti u përshkallëzua u shtua numri i viktimave, duke shkaktuar një ndryshim thelbësor tek mediat e deritanishme, që nisën të publikojnë lajme të pa konfirmuara për atë që po ndodhte në luftë dhe në Rusi.

Të gjitha këto efekte janë më akute sot, me viktima shumë më të mëdha në numër dhe për një kohë shumë më të shkurtër, të shkaktuara në një popullsi dukshëm më të vogël. Dhe në një epokë ku interneti dhe mediat sociale e vendosin paaftësinë ushtarake nën një vëmendje shumë më të madhe sesa mund të imagjinohej ndonjëherë në kohën e Luftës së Afganistanit.

Ndikimi i një lufte që ka dështuar në një mënyrë katastrofike, ndoshta mund të përballohej më mirë në një vend me një qëndrueshmëri strukturore më të madhe. Por Federata Ruse është tepër e brishtë. Ekonomia e saj është shumë e varur nga energjia, shitja e së cilës tani po pengohet nga sanksionet.

Korrupsioni është i shfrenuar, ndërsa rusët e thjeshtë janë gjithnjë e më shumë të zemëruar për shkak të perspektivave të kufizuara të zhvillimit, të cilat janë pakësuar akoma më tej nga lufta në Ukrainë.

Ndërkohë ka një pakënaqësi etnike në rritje midis popullsive jo-ruse, të cilat kanë paguar çmimin më të lartë në luftimet në front, ndërsa sistemi politik është plotësisht i varur nga kulti i personalitetit të Putinit, që tani është demaskuar.

Në rast se kjo luftë çon në disa ndryshime thelbësore në Federatën Ruse, ka të ngjarë që të ndjekë një rrugë shumë më të vështirë se sa shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Një gjë që nuk duhet të presim të shohim, është një regjim i ri i ngritur në kushte emergjente që dëshiron t’i japë fund luftës, që të sjellë një demokraci të re dhe të vendosë marrëdhënie të përzemërta me Perëndimin.

Mos prisni një tjetër Mikhail Gorbachev. Përkundrazi, mund të shohim një skenar të stërzgjatur kaosi, dhune, rebelimi dhe represioni, me luftime midis ushtrisë ruse, gardës kombëtare, shërbimeve të sigurisë, bollëkut të ushtrive private dhe ndoshta vizionit të Prighozin për turmat në rrugë me sfurqe në duart.

Edhe nëse nuk shpërbëhet në çifligje etnike, Rusia do të përfshihet nga përplasjet midis konkurrentëve të vijës së ashpër të indinjuar nga tradhtia e forcave të tyre dhe nga një elitë e korruptuar. Sigurisht asgjë nga këto nuk duket sikur ka gjasa të ndodhë.

Por duhet të kujtojmë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ishte e papritur si në shkallë po ashtu edhe në shpejtësi. BRSS cilësohej si shumë e madhe për të dështuar. Megjithatë, nëse ndodh diçka e tillë, kolapsi i Federatës Ruse mund të zvogëlojë kërcënimin aktual që paraqet për sigurinë evropiane dhe globale.

Por këtë herë, le të mos dëgjojmë asnjë fjalë për “përfitime nga paqja”, sepse mund të jemi të sigurt për një gjë: Rusia do të rindërtojë veten dhe do të sulmojë sërish ndonjë vend fqinj. /albeu.com

Shënim:Koloneli Richard Kemp është një ish-oficer i Ushtrisë Britanike. Ai ka qenë komandant batalioni këmbësorie dhe ishte aktiv në Bosnje, Irak dhe Afganistan.


Shtuar 27.05.2023 10:18