Deputetët e Partisë Socialiste kanë propozuar përmes formularit të vendosur në zarfe emrin e Presidentit të ri. Në sallën e mbledhjes së Grupit Parlamentar ishte vendosur dhe një kuti votimi, ku secili prej tyre bëri propozimin.
Deputetja socialiste, Mimi Kodheli e ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi zbuloi se nga tre emrat që ajo propozoi nuk kishte asnjë emër zonje, pavarësisht se ekziston mundësia që për herë të parë Shqipëria të ketë një Presidente femër.
Kodheli: Në tre emra asnjë nuk ka qenë zonjë, në rastin tim. Kryeministri beson më shumë te zonjat. Mundet të jetë dhe ky rasti. Profil politik kanë qenë në rastin tim, relativisht jo të rinj. Unë jam konsultuar me disa kolegë dhe më besoni diskutimet kanë qenë shumë serioze, pavarësisht se kanë qenë informale. Ne besojmë te një mënyrë tjetër e përzgjedhjes së emrave, patjetër që duhet eksperimentuar, por mos jenë emra të minutës së fundit. Duhet të jetë i menduar mirë dhe pse jo edhe duke marrë një mendim kolegjial.
Kodheli tha se mazhoranca shpreson të ketë edhe propozime nga opozita.
Kodheli: Janë të mirëpritur. Shpresoj të japin emra.
Deputetja tha se do të ketë një takim edhe më përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të merren parasysh propozimet e tyre.
Kodheli: Do të ketë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe takimi bëhet për të konkluduar në emra konkretë. Mund të vëmë në kornizë disa tipare por kjo nuk do të thotë që emri është athje. Mirëpriten emrat nga shoqëria civile, ashtu siç mirëpriten edhe nga opozita. /abcnews.al