Ish-anëtari i bandës së Lushnjës Alban Semaku dyshohet se është nxjerrë në pritë nga persona të njohur për të, por ende të paidentifikuar nga ana e hetuesve.
Burimet pohuan se ka dyshime të forta se një person i njohur dyshohet ta ketë transportuar viktimën në vendin ku u gjet i vrarë me armë zjarri. Nuk përjashtohet mundësia që në automjet mund të ketë qenë edhe një femër. Në momentin që ka mbërritur në vendin ku u gjet i vdekur, 38-vjeçari është përballur menjëherë me autorët, të cilët dyshohet të kenë qenë të fshehur në shkurret ku u gjet trupi i pajetë.
HETIMET
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, por dhe nga dinamika e ekzekutimit, dyshohet që viktima ka tentuar të largohej duke kaluar murin, por nuk ka mundur ta kalojë atë. Kjo vërtetohet nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ku ka njolla të shumta gjaku në një distancë të gjatë, çka bën që grupi hetimor t’i mëshojë këtij varianti. Ajo që e përforcon më shumë këtë variant janë 2 nga 4 gëzhojat të dyshuara të kalibrit 9 mm, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe janë sekuestruar. Nga dëshmitë e banorëve të zonës nuk janë dëgjuar të shtëna, çka ngre dyshime të forta se autorët kane qëlluar me një armë me silenciator. Pista kryesore e vrasjes mbetet ajo e larjes së hesapeve për shkak të konflikteve të vjetra të viktimës. Nga mënyra e organizimit dhe si është kryer vrasja, tregon se autorët kanë qenë profesionistë në veprimtaritë kriminale.
EKZEKUTIMI
Mënyra se si është ekzekutuar 38-vjeçari Alban Semaku është e stilit mafioz. Ai është qëlluar nga një distancë e afërt, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së dielës në zonën e Peqinit. Burime nga grupi hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes së rëndë bënë me dije se Semaku është vrarë në vendin ku është gjetur buzë lumit Shkumbin, në zonën e Peqinit. Autorët e kanë qëlluar fillimisht me një plumb mbrapa koke dhe më pas e kanë qëlluar në pjesën e shpinës të paktën me tre plumba, duke e braktisur më pas në vendin e krimit. Ngjarja ndodhi në një zonë të pabanuar, e cila përdoret gjatë fundjavës si vend për tregtimin e bagëtive. Ish-anëtari i bandës së Lushnjës dyshohet të jetë rrëmbyer mbrëmjen e së shtunës rreth orës 19:00 në qytetin e tij.
ATENTATET NDAJ ANËTARËVE TË BANDËS SË LUSHNJËS
Semaku është i fundit në radhën e anëtarëve të ishbandës së Lushnjës që u vra me armë zjarri pranë lumit Shkumbin në zonën e Peqinit. Dy vite më parë u vra me armë zjarri një tjetër anëtar i kësaj organizate kriminale, më e madhja në vendin tonë. Më 14 dhjetor të vitit 2019 u gjet i vrarë me plumb në kokë Enver Boriçi, vëllai i Arben Boriçit, një nga anëtarët e kësaj bande, i dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, në vitin 2016 u organizua një atentat ndaj Xhulio Shkurtit, nipi i Aldo Bares, i cili arriti të mbijetonte. Në një tjetër atentat po në Lushnjë në tetor të vitit 2018, Xhulio Shkurti arriti të mbijetonte sërish, por mbetën të vrarë Jurgen Hoxha, 22 vjeç dhe Zamir Latifi, 23 vjeç. Në momentin e ngjarjes, viktimat kanë qenë në rrugë në këmbë. Si atentatorë janë akuzuar Laert Haxhiaj dhe Orgest Bilbili (i arrestuar). Në korrik të vitit 2010 mbeti i vrarë nga një atentat Gerti Lala, një tjetër bashkëpunëtor i bandës së Lushnjës. Në atë kohë u arrestua Lart Haxhiaj dhe Orgest Bilbili, të cilët ishin adoleshentë. Lala, i njohur me nofkën “Iriqi”, u masakrua me thika përveç se u vra me armë zjarri, ku disa plumba e prekën në pjesën e kokës./Panorama/