Ditën e sotme, Donald Trump, do të marrë zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trump do të betohet për herë të dytë si President amerikan.
Ceremonia e inaugurimit të Donald Trump, do të mbahet rreth orës 18:00 sipas kohës tonë lokale.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe motit të acartë, kjo ceremoni do të mbahet në ambient të mbyllur brenda Kapitolit.
Kjo është hera e parë në 40 vitet e fundit, që inaugurimi i Presidentit të SHBA bëhet në këtë formë, për shkak të temperaturave tepër të ulëta.
Një ditë para inaugurimit, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, mbajti fjalim përpara mbështetësve të tij në Uashington, ku theksoi se do të mbajë premtimet e tij sapo të marrë pushtetin.
Ai tha se do të vendosë kufizime të rrepta për imigracionin në ditën e tij të parë në detyrë, duke premtuar se do të përmbushë me shpejtësi premtimin kryesor të fushatës së tij.
Trump përsëriti zotimin e tij të fushatës, për të ndërmarrë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Ishte fjalimi i tij i parë madhor në Uashington që nga fjalimi i tij më 6 janar 2021, para sulmit në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij.
Mijëra mbështetës të Presidentit të zgjedhur, pritën në të ftohtë dhe shi për orë të tëra, për të marrë pjesë në tubimin e tij të fitores.
Zoti Trump, ka thënë se do të falë shumë nga mbi 1500 personat e dënuar, ose të akuzuar në lidhje me sulmin.
Tubimi i së dielës i zotit Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues sot, mund të përcaktojë tonin e mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Një burim me dijeni për planet e tij, tha se siguria kufitare do të zërë një vend të rëndësishëm në urdhrat e parë ekzekutivë të zotit Trump, të cilat ka të ngjarë të përfshijnë klasifikimin e karteleve të drogës si “organizata të huaja terroriste”, si edhe shpalljen e një situate emergjence në kufirin SHBA-Meksikë.
Më herët të dielën, Trump hëngri mëngjes me senatorët republikanë amerikanë pranë Shtëpisë së Bardhë.
Më pas, ai vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit të dielën.
“Tubimi i Fitores për ta Bërë Amerikën Sërish Madhështore” filloi në orën 3 të pasdites në “Capital One Arena”, një stadium i brendshëm për lojërat e hokejit dhe basketbollit, si dhe një vend i caktuar për disa nga festimet e inaugurimit të së hënës, pas parashikimeve për mot të ftohtë të ashpër, që i shtynë zyrtarët të anulonin festimet e planifikuara në mjedise të hapura.
Donald Trump, është Presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai pason në këtë detyrë Joe Bidenin.
Kush do të marrë pjesë sot në inaugurimin e Presidentit?
Si një politikan jokonvencional, presidenti në ardhje i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpesh ka anashkaluar normat diplomatike.
Prandaj, nuk është befasi që inaugurimi i tij si president po thyen traditën.
Trumpi është presidenti i parë i zgjedhur në mbi një shekull që fton udhëheqësit e huaj në ceremoninë e tij të betimit, sipas mediave amerikane. Historikisht, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë diplomatët e huaj dhe ambasadorët.
“Është e pazakonshme që të ketë një lloj të tillë të pjesëmarrësve [të udhëheqësve] të huaj, sepse inaugurimi shihet si një ngjarje e brendshme politike”, tha Cayce Myers, profesor në Virginia Tech, i cili përqendrohet në takimin e marrëdhënieve me publikun me politikën.
Në mesin e udhëheqësve të huaj të ftuar është kryeministrja konservatore italiane, Giorgia Meloni, dhe presidenti populist i krahut të djathtë argjentinas, Javier Miel. I ftuar është edhe zëvendëspresidenti kinez, Han Zheng.
Në inaugurimin e Trumpit, do të ketë edhe politikanë e biznesmenë nga Kosova.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë në këtë ngjarje, sikurse edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe biznesmeni Shkëlqim Devolli.
Trump “i përdor këto ngjarje të mëdha, sikurse inaugurimi, si një mundësi për të krijuar lidhje dhe për të gjetur gjuhë të përbashkët”, tha Myers. “Është mënyrë shumë unike për të trajtuar diplomacinë dhe është një mënyrë që i ka rrënjët në biznes”.
Miliarderët e teknologjisë
Të ftuar të tjerë VIP në inaugurim përfshijnë emrat më të mëdhenj në industrinë e teknologjisë të SHBA-së, përfshirë pronarin e X dhe Tesla-s, Elon Musk, themeluesin e Meta-s, Mark Zuckerberg, dhe atë të kompanisë Amazon, Jeff Bezos. Udhëheqësit e Apple, OpenAI, Uber dhe TikTok raportohet se kanë pranuar ftesa po ashtu.
Disa nga këto kompani kanë bërë donacione në fondin për inaugurimin e Trumpit, i cili ka mbledhur një shifër rekord prej më shumë se 170 milionë dollarësh.
Silicon Valley, qendra për teknologji e SHBA-së, iu përgjigj me kujdes fitores befasuese të Trumpit më 2016. Musk, një nga donatorët më të mëdhenj të fushatës zgjedhore të vitit 2024 të Trumpit, kishte mbështetur atë vit kundërshtaren e tij, Hillary Clinton.
Udhëheqësit e biznesit të mbledhur në seksionin VIP në inaugurimin e Trumpit më 2017 përfshinin miliarderë nga industria e kazinove e deri tek ajo e financave.
Por, ndryshimi i qëndrimit të Silicon Valley nxitet nga dëshira për të pasur një karrige në tavolinë kur të flitet për rregullat dhe tarifat për sektorin e teknologjisë, thanë ekspertët.
Matthew Dallek, profesor i historisë politike në Universitetin George Washington, tha se kompanitë e teknologjisë do të kërkojnë “të shmangin” çdo tarifë të re që potencialisht mund t’i prekë bizneset e tyre.
Dallek tha se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, prishi raportet me Silicon Vallen, duke e akuzuar kompaninë Amazon për praktika të monopolit, duke kërkuar ndarjen e Google, duke paditur Meta-n, duke e shpërfillur Tesla-n gjatë një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë dedikuar makinave elektrike, si dhe duke e luftuar industrinë e kriptovalutave.
“Shumë njerëz në botën e teknologjisë vërtet u mërzitën me përpjekjet e administratës Biden për t’i rregulluar ata dhe për ta kufizuar mënyrën se si veprojnë ata. Ata u ndien se kjo ishte shtypje agresive”, tha Dallek.
“Përveç kësaj, ata ndien se kishte shumë komente negative që u bënë nga Shtëpia e Bardhë. Në vend se të shiheshin si heronj të epokës së re digjitale, ata e kuptuan se ishin sharë nga disa zyrtarë të Bidenit”, shtoi ai.
Në fjalimin e tij të lamtumirës drejtuar kombit më 15 janar, Biden paralajmëroi se një “oligarki e rrezikshme” e njerëzve të pasur po formohet në Amerikë dhe po përdor pushtetin, që kërcënon demokracinë.
“Jam i shqetësuar lidhur me përqendrimin e rrezikshëm të pushtetit në duart e disa njerëzve të pasur”, tha Biden, pa përmendur emra.Musk, njeriu më i pasur në botë, besohet se ka ndikim të rëndësishëm në Trumpin.
Presidenti i zgjedhur emëroi Muskun që të mbikëqyr një komision që do të merret me përmirësimin e efikasitetit të Qeverisë, përfshirë shkurtimin e shpenzimeve.
Moti i ftohtë
Që nga viti 1981 inaugurimi është mbajtur në frontin perëndimor të Kapitolit, ku është ndërtuar një platformë për këtë ngjarje, e cila mund t’i akomodojë mbi 1.600 persona.
Në mesin e pjesëmarrësve zakonisht janë presidenti në largim dhe nënpresidenti në larg dhe familjet e tyre; presidenti i zgjedhur dhe nënpresidenti i zgjedhur së bashku me familjet e tyre; ish-presidentët me bashkëshortet e tyre; anëtarë të kabinetit dhe të nominuar; 535 anëtarët e Kongresit; nëntë anëtarët e Gjykatës Supreme; ambasadorët e huaj; pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë; dhe të ftuar të tjerë, përfshirë këshilltarë dhe miq të ngushtë të presidentit në ardhje, por edhe donatorë të mëdhenj dhe të famshëm.
Të famshmit që raportohet se do të marrin pjesë në inaugurimin e Trumpit përfshijnë ish-kampionin e boksit, Mike Tyson, sikurse edhe atletë të tjerë dhe muzikantë.
Disa anëtarë demokratë të Kongresit, përfshirë Nancy Pelosin, një nga figurat më të fuqishme të partisë, është raportuar se nuk do të marrin pjesë në inaugurim.
Persona të tjerë të shquar që nuk do të marrin pjesë në këtë ngjarje përfshijnë edhe ish-zonjën e parë, Michele Obama.
Për shkak të motit të ftohtë, inaugurimi do të mbahet brenda ndërtesës së Kapitolit, për herë të parë që nga viti 1985. Kjo hapësirë zë vetëm afër 600 persona, që do të thotë se të ftuarit VIP nuk do të mund të jenë të pranishëm.
Përveç inaugurimit, edhe disa ngjarje të tjera të rëndësishme do të zhvillohen para dhe pas ceremonisë së betimit, përfshirë edhe një darkë më 19 janar ku do të marrë pjesë Trump dhe gruaja e tij, Melania. Po ashtu do të ketë disa ballo të inaugurimit që do të mbahen mbrëmjen e 20 janarit./REL