Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua të premten, me të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, në lidhje me pritjet nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2023. Palët nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje dhe as nuk kanë bërë ndonjë hap drejt zbatimit të saj.
Të lidhura
None found
Sipas Zyrës së kryeministrit, Kurti ka thënë se kjo marrëveshje “po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres [Ana] Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”.
“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, është cituar të ketë thënë mes tjerash Kurti.
Peter Sorensen, nga Danimarka, e ka nisur zyrtarisht punën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.
Më herët, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi takim me Sorensen.
Dy liderët e Kosovës i kanë zhvilluar takimet e para me Sorensenin në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, e cila ka nisur punimet të premten.
