Kryeministri Albin Kurti ka ofenduar gazetarët që kishin dalë sot te sheshi “Zahir Pajaziti”, ku ai po vendoste kurora lulesh, për ta pyetur rreth zhvillimeve të fundit.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq foli gjatë gjithë vikendit se si Mbretëria e Bashkuar ka dërguar armatim në Kosovë duke thënë se për këtë do të kërkojë shpjegim edhe nga Kryeministri i Britanisë së Madhe.
Kur u pyet për këto deklarata, së paku për ta dhënë një version të tij, Kurti në vend se t’ia kthejë një përgjigje Vuçiqit zgjodhi të merret me gazetarët duke u thënë atyre “Nuk ka nevojë që ata (Beogradi), t’iu gënjejnë më shumë… e qe ta kuptoni se nuk duhet më t’i besoni asnjëherë” ka thënë Kurti.
Pastaj, ka vazhduar me përgjigjen konfrontuese.
“Unë iu përgjigja juve, ju lutem mos i merrni deklaratat e tyre për fakte me të cilat pastaj na bëni pyetje neve” ka thënë ai.
Të premten që shkoi një avion i madh ushtarak britanik ka ateruar në Aeroportin e Sllatinës.
Media serbe e afërt me Vuçiq “Novosti” shkroi se aeroplani ushtarak i forcave ajrore britanike, ka realizuar dërgesën e raketave anti-tank “Javelin” dhe “NLAV”, të cilat po përdoren edhe nga Ushtria e Ukrainës kundër forcave ruse, si donacion nga shtetet perëndimore.
“Britania po armatos shqiptarët: Po u japin raketa, Vuçiqi kërkon një shpjegim nga Johnson”, ka qenë titulli alarmues i Novosti-t.
Pas këtij shkrimi, doli vetë Vuçiq në media për të kërkuar shpjegime nga britanikët.
Vuçiç duke e marrë si të mirëqenë se britanikët kanë sjellë armë në Kosovë, është shprehur se askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.
“Marrëveshja e Kumanovës parasheh vetëm KFOR-in si forcë në Kosovë”, tha ai.
“Pyetja ime për Perëndimin është shumë e thjeshtë, jo vetëm për britanikët që i armatosin me armë shumë të rrezikshme – a jeni ju ata që na kërkoni të respektojmë ligjin ndërkombëtar çdo herë dhe ju e shkelni atë çdo ditë. Pse i armatosni? ” Ju pengon kur armatoset Serbia, ndërsa jo kur këtë e bënë Kroacia?”, ka thënë Vuçiq.
Sido që të jetë, Kurti dhe ministrat e tij janë duke ndjekur një qasje arrogante ndaj mediave kur ato u bëjnë pyetje. Javën që shkoi, Ministri i Brendshëm Xhelal Svecla përdori gjuhë të paparanueshme ndaj gazetares e cili e pyeti për punësimin e motrës, në një konferencë ku Sveçla po fliste për sulmet ndaj policisë në veri. I ekzaltuar që po flet për tema të mëdha, ai i tha gazetarës se po flet “budallëllëqe”. Pikërisht Sveçla u ftua nga Kurti për ta pritur gazetaren e pare nga Ukraina që erdhi në Kosovë pasi shteti i Kosovës u zotua se do t’i pres 20 gazetatarë nga ky vend i goditur nga lufta.
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2021 ka konstatuar se gjatë qeverisjes së Kurtit liria e medias ka pësuar kufizime serioze ndërkohë që janë evidentuar edhe situata kur gazetarët janë sulmuar edhe fizikisht.
Në linjën e parë të sulmeve ndaj mediave, nga VV po qëndron edhe kandidati për deputet i VV’së Hysamedin Feraj i cili një një postim në facebook bëri ndërlidhje të “sulmeve” ndaj Kosovës dhe Ministrit Svecla.
“Çfarë koincidence!
Serbia e sulmon me armë policinë e Kosovës. Pak mbas saj, opozita dhe media e dirigjuar prej saj e sulojmë verbalisht ministrin që drejton policinë.
Sigurisht, pa koordinim me Serbinë!“ shkroi Feraj./gazetaexpress.com