Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkelje të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se deklaratat e Vuçiqit, të bëra më 28 shkurt se Serbia nuk do të pranojë që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, përbëjnë shkelje të nenit 4 të propozimit evropian, që palët e pranuan gjatë rundit të dialogut të mbajtur të hënën.
“Mbrëmë, presidenti i Serbisë u zotua se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kjo do përbënte shkelje të qartë të nenit 4 të propozimit të Bashkimit Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia duket se ka zgjedhur të mos e bëjë këtë”, shkroi Kurti në Twitter.
Propozimi evropian për normalizim të raporteve përbëhet nga 11 nene. Në nenin 4, të cilit i referohet Kurti, thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Vuçiq deklaroi të martën mbrëma, se përveç kundërshtimit të anëtarësimit në OKB, Serbia nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës.
“…unë nuk dua dhe nuk mund të bisedoj për njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Vuçiq për televizionin publik serb, RTS më 28 shkurt.
I pyetur për nenin që thotë se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Vuçiq tha se “prandaj nuk e nënshkrova [propozimin evropian]”.
Pas takimit të Brukselit, Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin, por pala serbe nuk shprehu gatishmëri.
Propozimi evropian është thënë se synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Më pas, BE-ja planifikon që gjatë marsit të ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në takim për të diskutuar për zbatimin e propozimit evropian.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /REL