Evi Kokalari ishte e ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ku foli edhe për lidhjen e ngushtë që ka pasur me të ndjerën Hueyda El Saied, artistja që u nda nga jeta Nëntorin e vitit 2021.
Kokalari e cila prej disa kohësh po qëndron në Shqipëri shprehu se do të niset drejt Luksemburgut për herë të parë pas ngjarjes së rëndë për të lënë një tufë me lule në vendin ku prehet mikesha e saj. Kokalari tha se ajo është kumbara e djalit të El Saied, dhe dëshiron ta takojë të voglin për të krijuar një marrëdhënie të ngushtë me të.
“Nëser është dita e parë që do të shkojë të vizitoj Hueydën dhe të merrem me djalin, i cili është moralisht shumë mirë më thotë i ati. Ajo ka thënë që nëse ka një person që do i besoja djalin, je ti. Ma ka thënë seriozisht përpara se të sëmurej.” – shprehu Kokalari mbi marrëdhënien e saj me familjen e Hueyda El Saied.
Rrugëtare me mikeshën e saj përgjatë sëmundjes, Evi pohoi se nuk e priste një përfundim të tillë. Lajmin e mori vesh nga një kushërirë, e cila e shokuar nuk e besonte dot ngjarjen e ndodhur, ndërkohë që Evi ishte gjatë gjithë kohës në dijeni të situatës.
“Unë e kam ditur që kur ishte dyshimi dhe ajo do të shkonte për biopsi. I kam thënë që është pamundur të kesh diçka, ishte shumë e shëndetshme. Bëri biopsinë dhe pas një jave duhet të merrte në telefon dhe mendova pse s’po më merr. Unë e kam ditur gjatë gjithë proçesit. Ajo që më bënte përshtypje nga ajo, ishte sinqeriteti fëmijnor. Kam parë një forcë gjatë sëmundjes, ajo ka qenë gjatë gjithë kohës duke qeshur dhe unë nuk e kisha problem ta inkurajoja. Ajo shkonte në spital e veshur, e lyer, me shaka me mjekët e të tërë. E donin shumë. Nuk është ankuar kurrë, nuk ka qarë një herë. Asnjë nuk e besonte që s’do ja dilte.” – rrëfeu Evi Kokalari mbi periudhën gjatë së cilës piktorja e ndjerë vuante nga sëmundja e rëndë.