Kryetari i Kuvendit të Kosovës kundër propozimit të Ramës: Nuk duhet ta bënte pa u ulur me Kurtin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka gabuar që u ka dorëzuar draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe zyrtarëve evropianë.

“Në parim mendoj se është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar [Edi Rama] nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës [Albin Kurti] edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku”, deklaroi Konjucfa.

Ai tha se deri më tani kanë qarkulluar drafte të ndryshme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe porse sipas tij , asnjëri prej tyre nuk ka pasur efekt.

Këto komente Konjufca i bëri në përfundim të manifestimit për shënimin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në Prizren.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor, se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me draftin e propozuar nga Shqipëria.

Në BE thonë se, përveç drafteve të ndryshme, që janë paraqitur nga organizata të ndryshme, janë paraqitur edhe shumë “shembuj evropianë“, që mund të shërbejnë si model për të siguruar një model të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin etnik serb në Kosovë.

Disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian, që thonë se kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, “teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”. /REL


Shtuar 10.06.2023 19:01