Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i pranishëm në mbrëmjen gala “Më të mirët 2023” të organizuar nga FSHF. Ai ka ftuar në skenë kapitenin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, teksa i ka dorëzuar atij përsëri pasaportat diplomatike për të gjithë ekipin kuqezi, me të cilin ka shkëmbyer disa batuta për sa i përket këtyre dokumenteve.
Rama: Dëshiroj të ftoj kapitenin e skuadrës tonë kombëtare, njëfarë Hysaj, Hysaj, është këtu ai? Kur skuadra jonë kombëtare u kualifikua në Eurpianin e 8 viteve më parë, ne u dhamë të gjithë sportistëve e trajnerëve pasaportën diplomatike, Mirëpo nuk u kualifikuan pas katër vitesh dhe pasaportave diplomatike iu dogj afati. Tani është koha për ta ridhënë pasaportën diplomatike me afat dhe nga kjo do të përfitojnë shumë nga lojtarët që e kanë për herë të parë, si ambasadorë të shtetit shqiptar. Ambasadorë të denjë për të cilët jemi krenarë dhe thirra kapitenin sepse ishte mosbesues deri në fund që do merrte pasaportën sot. Normale, se kujton se jam si të tjerët që e them fjalën dhe nuk e mbaj. Do e mësojë edhe ky që atë që them e mbaj. Kjo është pasaporta,. Këtu ke edhe pasaportat e gjithë skuadrës. Ti marrë presidenti që të jenë në duar të sigurta.
Hysaj: Ta kontrolloj njëherë se nuk i dihet. Hysaj, Elseid… Shumë faleminderit, mund ta humbim prapë si kemi humbur tjetrën. Dua të falënderoj presidentin për ftesën për të qenë këtu në këtë mbrëmje, kryeministrin për mbajtjen e fjalës. Nuk do jetë vetëm kjo, do të kemi edhe të tjera në Gjermani, nuk i dihet. Për mua është emocion i dytë kualifikimi dhe kënaqësi, akoma më e bukur me grupin e lehtë që na ra. Por unë kam besim që do ia dalim mbanë dhe ndoshta do bëjmë një tjetër ëndërr realitet në Gjermani.
Rama: E sheh një zotëri aty me këmishë të bardhë me papion të zi, ai që po ta bën me dorë? Për pasaportë gjermane apliko te ambasada gjermane…