Propozimi i Presidencës franceze në formë integrale do të publikohet sot në faqen zyrtare të qeverisë pas takimit me koalicionin qeveritar, njoftoi kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
“Siç kam premtuar, ne po hapim një proces konsultimi të gjerë. Sot në orën 11:00 në Qeveri do të mbahet mbledhja e liderëve të partive nga koalicioni qeveritar, ku do të shqyrtohet propozimi i presidencës franceze. Menjëherë pas mbledhjes propozimin do ta publikojmë në formë integrale në faqen zyrtare të Qeverisë. Gjatë ditës, krahas takimit me koalicionin qeveritar, do të zhvillohen konsultime dhe diskutime me publikun, ekspertë si dhe me mediat. Siç e kam paralajmëruar edhe dje, i gjithë procesi do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe publiku do të informohet në detaje për të gjitha hapat e mëtejshëm.
Bëj thirrje për përgjegjësi nga të gjithë aktorët relevantë në shoqëri, spekulimet për çështje të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare nuk i bëjnë dobi askujt.
Prandaj, i bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe mediave që të mbështeten në informacionin zyrtar të institucioneve. Kërkoj konstruktivitet dhe mbështetje nga të gjitha palët e interesuara për të marrë një vendim të mençur në interes të të gjithë qytetarëve#, thuhet në njoftimin e kryeministrit Kovaçevski./alsat