Kriza në Ukrainë, Putini hedh akuza për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj pakicës ruse

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Ukraina po shkel të drejtat e pakicës ruse që jeton atje.

Putin shton se ka parë një përkeqësim të situatës në Ukrainën lindore.

Komentet presidenti rus i ka bërë në një konferencë shtypi në Kremlinin, ku hodhi akuza të pabazuara për “shkelje masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut” dhe “diskriminim të popullatës rusishtfolëse” në Ukrainë, raporton BBC.

Ai u kërkoi autoriteteve në Kiev të hyjnë në negociata me krerët separatistë. 69-vjeçari u tha gazetarëve se mbetet i gatshëm të diskutojë krizën në Ukrainë me liderët perëndimorë, por i akuzoi ata për injorimin e shqetësimeve të sigurisë së Rusisë dhe paralajmëroi se çdo marrëveshje duhet të përfshijë një zotim ligjërisht të detyrueshëm që NATO do të ndalojë zgjerimin e saj drejt lindjes.

Ai hodhi poshtë gjithashtu mundësinë e sanksioneve perëndimore dhe argumentoi se SHBA dhe aleatët e saj do të gjejnë gjithmonë një pretekst për të vendosur ndëshkime financiare ndaj regjimit të tij.

Deklarata e tij vjen pasi SHBA akuzoi Rusinë për grumbullimin e rreth 190,000 trupave përgjatë kufijve të Ukrainës dhe paralajmërimeve se Putini mund të urdhërojë një sulm në befasi të plotë./albeu.com/