Kriza energjitike, ERE merr vendimi: Kur hyn në fuqi fasha 800 kwh dhe kush preket
Enti Rregullator i Energjisë njoftoi pak më parë se në muajin nëntor dhe dhjetor, do të aplikohet çmimi 44 lekë për kilovat mbi fashën 800 KW.
“Për të gjithë konsumatorët familjarë që furnizohen nga Shërbimi Universal (FSHU sh.a.). ERE ka detyrimin të reflektojë çmimet e energjisë së konsumatorëve fundorë të shërbimit universal, kostot e furnizimit sipas kostove të burimit të sigurimit të energjisë.
Vendimi i Brodit të ERE-s nr. 242 datë 23.09.2022, i ndryshuar me vendimin e Bordit nr.254 datë 07.10.2022, qëndron në fuqi për muajt nëntor – dhjetor 2022, dhe këto çmime mbeten të aplikueshme, ashtu si përcaktuar në vendim, për periudhën 1 nëntor 2022 – 31 dhjetor 2022.
Siç theksuar dhe më parë nga vendimmarrja e ERE-s, çmimi i furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që konsumojnë mbi fashën e konsumit 800 KË, do të mbetet objekt rishikimi periodik, bazuar në kërkesën FSHU sh.a., vendimet e Asamblesë së KESH sha, si dhe vlerësimet e ERE-s, nëpërmjet të cilave do të vlerësohen ndryshimet në çmimin e shitjes se energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të shërbimit universal”, thuhet në deklaratën e ERE.
Fasha e re do të prekë të gjitha familjet që harxhojnë më shumë se 800 kilovat orë energji elektrike në muaj. Këta të fundit do ta paguajnë me 44 lekë çdo kilovat të harxhuar mbi këtë kufi. Paraprakisht përllogaritet që janë më shumë se 120 mijë familje që preken nga kjo fashë.
Vendimi për aplikimin e fashës së re ishte marrë më parë, por qeveria vendosi në shtator për të mos e aplikuar atë nga tetori duke njoftuar se do të veprohej në varësi të situatës. Tashmë që ERE njoftoi aplikimin e çmimit të ri, mbetët për t’u parë se cili do të jetë reagimi i qeverisë, pasi edhe më parë, ERE njoftoi për fashën e re në tetor, por ishte ekzekutivi që ktheu vendimin mbrapsht.