Krimet mjedisore, Zv/drejtori i Policisë: Rreth 1500 policë në aksion (VIDEO)

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj ka prezantuar planin e policisë kundër krimeve mjedisore.

Dervishaj ka bërë edhe një bilanc për rastet e shkeljeve të identifikuara deri më tani.

Ai shtoi se vetëm në dy javët e fundit janë evidentuar 215 raste të tilla. Janë 1456 policë të angazhuar për parandalimin dhe zbulimin e këtyre shkeljeve sipas tij.

Ndërkohë bëhet me dije se policia ka arrestuar 23 persona, 184 janë vënë nën hetim në gjendje të lirë ndërkohë që 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Deklarata e plotë:

Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, krahas përmbushjes së detyrës funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë, në zbatim të prioriteteve të qeverisë për parandalimin e krimeve mjedisore, janë duke ushtruar kontrolle masive në të gjithë territorin e vendit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativave për prerje të  paligjshme të pyjeve, ndërtimeve pa leje, ndotjes së mjedisit, gërryerjes së lumenjve dhe shkatërrimit të strukturës së tokës, vepra penale këto që sjellin një dëm të madh për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe shkatërrimin e territorit.

Si rezultat i  intensifikimit të veprimeve janë parandaluar ndërtime pa leje, janë prishur furra artizanale të prodhimit të gëlqeres, që përdorin kryesisht goma të automjeteve për djegie, janë konstatuar dhjetëra raste të prerjes së paligjshme të pyjeve, gërryerjes së lumenjve dhe ndotjes së tyre apo të hedhjes së inerteve, që shkaktojnë ndotje të ajrit. Në këtë kuadër janë proceduar dhe arrestuar personat përgjegjës të këtyre krimeve mjedisore.

Vetëm dy javët e fundit, si rezultat i kontrolleve  në të gjithë vendin  janë evidentuar 215 vepra penale në fushën e mjedisit, për të cilat strukturat e Policisë kanë angazhuar 1456 punonjës policie, për parandalimin dhe zbulimin e tyre.

Në këto krime mjedisore janë përfshirë 213 autorë të veprave të ndryshme penale, nga të cilët 23 janë arrestuar në flagrancë, 184 janë proceduar në gjendje të lire dhe 6 janë shpallur në kërkim.

Vetëm për 24 orët e fundit janë evidentuar 6 raste që kanë të bëjnë kryesisht me veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, ku janë konstatuar kamionë që transportonin inerte, të cilat i kanë hedhur jo në vendet e përcaktuara, por kryesisht buzë rrugëve dhe lumenjve.

Po kështu, shqetësuese mbeten ndërtimet pa leje, janë evidentuar 97 raste të tilla; prerja e paligjshme e pyjeve, janë evidentuar 55 raste dhe janë sekuestruar rreth 100 metër kub lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme. Po kështu shqetësuese janë edhe gërryerja e lumenjve, djegia e gomave dhe e mbeturinave, duke shkatuar ndotje të ajrit.

Nisur nga evidentimi i rasteve të shumta të veprave penale në fushën e krimeve mjedisore, si dhe në zbatim të porosisë së dhënë nga Kryeministri i vendit, për shtimin e masve me qëllim parandalimin e krimeve mjedisore, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të veçantë masash me detyra konkrete për çdo strukturë, me qëllim intensifikimin e punës së saj për parandalimin e tyre, shkëmbimin e informacionit, për rritjen e cilësisë së hetimit të veprave penale që lidhen me krimet mjedisore dhe bashkëpunimin me institucionin e Prokurorisë.

Parandalimi i krimeve mjedisore nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit, por edhe e shumë institucioneve shtetërore që i ngarkon ligji për të marrë dhe zbatuar masa parandaluese në këtë drejtim, pasi parandalimi i tyre është në interes të të gjithë shoqërisë. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për më shumë bashkëpunim e koordinim të veprimeve me këto institucione, si dhe shkëmbimin e informacionit me publikun, me qëllim minimizimin dhe eleminimin e veprave penale kundër mjedisit.

Parandalimi i veprave penale në fushën e mjedisit është një prioritet po aq i rëndësishëm, krahas prioriteteve të tjera që ka Policia e Shtetit në luftën kundër krimit, sodomos atij të organizuar, forcimin e sigurisë publike, kontrollit të kufijve etj, ndaj nuk do të ketë asnjë tolerancë për ata që presin pyjet, shkatërrojnë shtretërit e lumenjve, dëmtojnë mjedisin apo bëjnë gjueti ndaj kafshëve të egra etj.

Siguroj opinionin publik se strukturat e Policisë së Shtetit do të monitorojnë dhe kontrollojnë në vazhdimësi territorin, për evidentimin e veprave penale të krimeve mjedisore, duke angazhuar

shërbime nga të gjitha strukturat, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale dhe se këto vepra penale do të trajtohen me të njëjtin vlerësim sikurse edhe lufta kundër krimit të organizuar, krimet ndaj jetës dhe pronës etj.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të kontribuojnë në kufizimin e dëmeve që i shkaktohen mjedisit, si dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm./albeu.com/