Që nga fillimi i luftës më shumë se një vit më parë, raportohej se numri i ushtarëve rusë që humbën jetën në Ukrainë ishte i lartë.
Megjithatë Kremlini nuk e pranoi kurrë këtë fakt, madje ndaloi edhe raportimin e humbjeve shumë kohë pas nisjes së konfliktit të armatosur, me qëllim fshehjen e shifrave të vërteta.
Së fundmi ka qenë kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin, ai që ka pranuar se numri i forcave ruse që humbën jetën në front është i lartë.
Ai tha se për çdo ushtar ukrainas të vrarë, balanca nga ana e trupave të Putinit është 5 ushtarë.
Sipas tij një bilanc i tillë vjen pasi ushtrisë ruse i mungojnë armatimet e duhura.
“Askush nuk po na mbulon krahët. Askush nuk na jep municion.
Numri i njerëzve në Wagner është duke u reduktuar. Po përballemi me të vdekurit, të plagosurit dhe ata që u larguan pas përfundimit të kontratës së tyre. Nuk na jepen armatime dhe po bëjmë gjithçka është e mundur me sasinë minimale që kemi në dispozicion.
Do të zgjasim edhe dy deri në tre javë derisa të mbetemi me vetëm një plumb në armët tona.
Gjeneralët e luftës duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që po ndodh në vijën e frontit.
Kundërofensiva e Ukrainës është e pashmangshme. Kjo do të ndodhë pas datës 2 maj.
Kur ukrainasit të fillojnë të përparojnë, ushtarët rusë do nisin të pyesin: Ku janë armatimet tona? Ku është udhëheqësi ynë? Ku janë komandantët?
Edhe një herë po ndodh një krim kundër Federatës Ruse. Çdo predhë që gjeneralët e luftës nuk dhanë nënkupton vdekjen e një ushtari tonë.
Në vend që të vdisnin ndërsa sulmonin armikun, do vdesin sepse nuk kemi armatime të ndalim sulmin e ukrainasve.
Ajo që po ndodh është një krim kundër Rusisë dhe popullit rus. Kjo nuk duhet të kalojë pa u vënë re. Kriminelët duhet të mbajnë përgjegjësi!”, tha ai.