Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme për shtyp ka njoftuar se propozimi i ri i kryesimit francez edhe zyrtarisht ka arritur në vend dhe se është shqyrtuar në qeveri.
Sipas Kovaçevskit propozimi do të bëhet publik pasi t’i kalojë të gjitha filtrat e institucioneve.
“Edhe zyrtarisht ka arritur propozimi nga kryesimi francez pas intervenimit tonë javën e kaluar në Bruksel. Propozimi do të publikohet pasi t’i kaloj të gjitha filtrat në institucione. Do të pasoj një proces i gjerë në të cilin do të përfshihen edhe presidenti dhe opozita”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë në të cilën u shqyrtua propozimi i kryesimit francez.
Kryeministri Kovaçevski njëherit apeloi që opinioni të përmbahet nga spekulimet sepse siç u shpreh ai vendimi do të miratohet me konstruktivitet dhe do t’i mbroj interesat kombëtare.
Kryeministri gjithashtu nënvizoi se çështjet historike që kontestohen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk janë pjesë e kornizës negociuese, sipas propozimit të sotëm francez për tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, me qëllim fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian./alsat