Kosova pret KFOR-in për heqjen e barrikadave, Serbia kërcënon me ushtri në kufi

Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë të Kosovës, të mbajtur të hënën, Zyra e Kryeministrit theksoi se Qeveria e Kosovës është ende “në pritje të veprimeve nga KFOR-i” për heqjen e barrikadave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takim të Këshillit të Sigurisë të Kosovës lidhur me situatën në veri, në ditën e 17-të që nga ngritja e barrikadave në atë pjesë.

Barrikadat u ngritën në shenjë proteste nga disa serbë lokalë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq – i akuzuar për sulmin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në komunikatën për media thuhet se gjatë këtyre 17 ditëve, Qeveria e Kosovës “ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in” dhe përsëritet se edhe pse “Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar”, qeveria është në pritje të KFOR-it.

“[Gjatë takimit] u tha se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet më tutje në këtë komunikatë.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.

Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudarë. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Por, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes një videoje të publikuar në Instagram ka komentuar ndalimin e hyrjes në Kosovë të patriarkut serb Porfirije, duke thënë se do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb “pas armatosjes së shqiptarëve dhe ngritjes së gatishmërisë ushtarake”.

Vuçiç ka thënë se Serbia po bën çmos për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin.

Lidhur me ndalimin e hyrjes së Patriarkut Porfiri në Kosovë, Vuçiq ka theksuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në histori.

“Ata do të vazhdojnë të flasin vetëm për barrikadat serbe, të cilat janë vetëm një shenjë pakënaqësie dhe përpjekjeje e popullit për të qenë të zotët e vetes dhe asgjë më shumë”, ka vazhduar ai.

Vuçiç, me dramaticitetin që e karakterizon atë, ka thënë se Serbia është në një situatë të vështirë.

“Jemi në një situatë të vështirë, por se do të bëjmë më të mirën dhe se do të kujdesemi në çdo mënyrë se si të ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe jo vetëm kaq, por edhe ta mbrojmë popullin tonë në veri të Kosovës”, ka thënë ai më tutje.

“Pas armatosjes së shqiptarëve dhe ngritjes së gatishmërisë së tyre luftarake, do të marr të gjitha masat për të mbrojtur popullin tonë dhe për të shpëtuar Serbinë”, ka thënë ai në fund.

Të hënën, Policia e Kosovës e konfirmoi një sulm në fshatin Zupç të Zubin Potokut ndaj një ekipi gazetarësh të Klan Kosovës – ku si pasojë mbetën të lënduar dy gazetarë, ndërsa u shkaktuan edhe dëme materiale.

Një ditë më parë kishte pasur të shtëna edhe afër një patrulle të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të hënën ka bërë të ditur se është duke e hetuar rastin.

Incidente të ngjashme janë raportuar edhe ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe ndaj një patrulle të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX./express


Shtuar 27.12.2022 07:58