Korrupsioni në polici, Balla: Ankesat dhe denoncimet e qytetarëve ndiqen me kujdes

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka thënë një një postim në Facebook se ankesat dhe denoncimet e qytetarëve kanë vëmendje maksimale dhe do të marrin zgjidhje.

Balla thotë se veshi i shurdhër dhe syri qorr i një polici dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre dhe kundër shtetit.

“Të dashur qytetarë, nga çdo anë e Shqipërisë. Ju jeni jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, por jeni edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, te krimi ordiner dhe deri te krimi ndaj pronës publike e private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr i një polici, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit. Prandaj çdo ankesë e juaja çdo denoncim, po ndiqet me shumë kujdes, sepse për mua secila prej tyre është një gur në murin e madh të besimit që duhet të ringrihet për Policinë e Shtetit”, thotë Balla.

Më tej ministri falënderon të gjithë qytetarët që kanë raportuar ankesa për veprime të dyshuara të paligjshme apo që bien ndesh me Kodin Etik në Policinë e Shtetit si dhe thekson se të gjitha ankesat kanë gjetur zgjidhje.

“Falënderoj dhjetëra qytetarë të cilët kanë raportuar plot raste apo paraqitur ankesa për veprime të dyshuara të paligjshme apo që bien ndesh me Kodin Etik në Policinë e Shtetit. Në një kohë të shkurtër kemi, në bazë të këtyre raportimeve/ankesave, punonjës policie të arrestuar, sikurse kemi edhe të përjashtuar për shkelje të normave etike”, shkruan Balla.


Shtuar 17.08.2023 10:58