Koreja është një model për paqen në Lindjen e Mesme

Nga Eli Cohen “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Muaji i ardhshëm shënon përvjetorin e tretë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Abrahamit, një marrëveshje paqeje shumë novatore, e cila i ka ri-dimensionuar plotësisht marrëdhëniet dypalëshe midis Izraelit dhe disa kombeve arabe, dhe ka shërbyer si një dritë shprese për një stabilitet të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjeve të paqes dhe normalizimit nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku – dhe sidomos pas krijimit të qeverisë së re të Izraelit – Jerusalemi ka synuar që të ndërtojë ura komunikimi dhe bashkëpunimi edhe me vendet e tjera arabe dhe myslimane.

Në këtë kuadër një fokus i rëndësishëm ka qenë krijimi i lidhjeve më të afërta me Arabinë Saudite, lokomotiva kryesore e botës arabe. Sigurimi i një aleance me Arabinë Saudite, nuk do të ishte thjesht një tjetër arritje diplomatike.

Ajo do të përbënte themelin mbi të cilin mund të ndërtohet harmonia e vërtetë rajonale. Një partneritet i tillë, mund të frymëzojë kombet e tjera që të ndjekin arritjen e një paqeje të qëndrueshme midis tyre në rajonin e Lindjes së Mesme në tërësi.

SHBA-ja ka dhënë një kontribut shumë të madh në dobi të lehtësimit të dialogut midis Arabisë Saudite dhe Izraelit gjatë muajve të fundit. Si pjesë e këtyre përpjekjeve, sauditët i bënë disa kërkesa Shteteve të Bashkuara, që sipas tyre, janë kyçe për avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe me Izraelin.

Shumica e këtyre kërkesave kanë të bëjnë me agresionin iranian dhe me aftësinë e mbretërisë për të mbrojtur veten kundër këtij kërcënimi. Kjo nënvizon perspektivën e Arabisë Saudite: Sfida kryesore nuk është Izraeli, por Irani, i cili synon të përhapë revolucionin e tij islamik shiit në të gjithë rajonin me anë të dhunës, terrorizmit dhe zhvillimit të armëve bërthamore.

Dhe një Iran i armatosur me armë bërthamore nuk është një kërcënim thjesht hipotetik. Nëse regjimi atje arrin të ndërtojë një armë bërthamore, kjo thuajse me siguri do të ndezë një garë rajonale të armëve bërthamore. Kombet si Arabia Saudite, shtetet e Gjirit, Egjipti dhe Turqia mund të ndihen nën presion për të forcuar mbrojtjen e tyre.

Ndërsa një garë rajonale e armëve, mund të duket si një përgjigje e pashmangshme ndaj fuqisë në rritje të Iranit, ajo do të destabilizonte rëndë zonën, duke e zhytur potencialisht në konflikt të gjithë Lindjen e Mesme. Një plan i mundshëm për de-përshkallëzimin ekziston në Azinë Lindore.

Udhëtimi im i fundit në Korenë e Jugut dhe në zonën e çmilitarizuar ishte shumë domethënës. Koreja e Jugut, pavarësisht se jeton nën hijen e një fqinji të armatosur bërthamor dhe zotëron mjetet për të zhvilluar armët e veta bërthamore, ka mbajtur një qëndrim abstenues ndaj zhvillimit të armëve bërthamore.

Angazhimi i mbrojtjes së saj nga ana e SHBA-së vepron si një mjet frenues i Koresë së Jugut kundër agresionit të Koresë së Veriut. Një zotim i krahasueshëm i mbrojtjes amerikane mund t’i qetësojë vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht Arabinë Saudite dhe shtetet e Gjirit.

Kjo qasje do t’i bënte të panevojshme ambiciet individuale bërthamore, do të forconte stabilitetin rajonal dhe do të nxiste axhendën e paqes dhe normalizimit. Një front i bashkuar, duke bashkuar kombet e moderuara sunite dhe Izraelin, do të ishte një kontroll efektiv ndaj ambicieve në rritje të Iranit.

Kjo zgjidhje nuk është zëvendësim për përpjekjet e pandërprera të komunitetit ndërkombëtar dhe të Izraelit, për të parandaluar regjimin iranian të Ajatollahëve që të arrijë aftësitë e duhura për të ndërtuar vetë bombën bërthamore.

Mënyra për ta arritur këtë, është nëpërmjet presionit ndërkombëtar ekonomik dhe diplomatik, si dhe një kërcënimi të besueshëm ushtarak që do ta detyrojë regjimin iranian të rillogarisë rrugën e tij dhe të ndalojë një herë e përgjithmonë garën për një armë bërthamore.

Shënim:Eli Cohen është Ministër i Jashtëm i Izraelit.


Shtuar 11.08.2023 17:17