Koreja e Veriut kreu të martën një provë me një raketë balistike të lëshuar nga një nëndetëse. Lajmi u njoftua nga ushtria koreanojugore. Prova vjen vetëm një muaj pas një testi të zhvilluar nga Seuli. Ushtria koreanojugore, e cila monitoron lëshimin e raketave nga Pheniani, tha se raketa ishte me rreze të shkurtër veprimi dhe u lëshua pranë bregdetit të saj lindor në orën 10:17 të mëngjesit.
Raketa e Koresë së Veriut përshkoi një distancë prej 430-450 kilometrash dhe arriti një lartësi maksimale prej 60 kilometrash, njoftoi agjensia koreanojugore e lajmeve Yonhap.
Koha e përzgjedhur për lëshimin e raketës ka domethënie. Vetëm një ditë më parë, zyrtarë koreanojugorë u takuan me zyrtarë amerikanë për të diskutuar situatën e armatimit bërthamor të Koresë së Veriut.
Gjithashtu muajin e kaluar, Koreja e Jugut u bë vendi i tetë në botë që testoi me sukses lëshimin nga nëndetësja të një rakete balistike (SLBM). Pas dy ditësh, Koreja e Jugut pritet të nisë raketën e parë hapësinore të prodhuar në vend.
Kryeministri japonez Fumio Kishida anulloi disa nga takimet e planifikuara dhe e quajti “të padëshirueshëm” testimin e raketës. Ndërsa Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut u mblodh në një takim urgjent dhe i bëri thirrje Phenianit të rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Koreja e Jugut ka filluar një plan ambicioz për modernizimin ushtarak, që përfshin disa raketa të reja, avionë luftarakë të prodhuar në vend, dhe madje edhe plane për prodhimin e aeroplanmbajtëses së parë. Analistët thonë se Koreja e Jugut, ku janë të dislokuara mbi 28 mijë forca amerikane, po përpiqet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, si dhe një rol më të madh në zhvillimet rajonale.
Por Pheniani ka kritikuar lëvizjet e Seulit duke i quajtuar ato provokative dhe destabilizuese dhe është zotuar të vazhdojë testimin e armëve nga ana e tij. Pheniani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për standarde të dyfishta.
Në një deklaratë, ushtria amerikane u shpreh se testimi është “destabilizues”, por tha se nuk përfaqëson rrezik të menjëhershëm.
Disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të kryejë veprime me raketave balistike, me rreze të gjatë apo të shkurtër veprimi.
Çfarë përfaqësojnë raketat SLBM?
Raketat balistike të lëshuara nga nëndetëset mund t’i shtonin një përbërës paparashikueshmërie arsenalit të Koresë së Veriut. Ato mund të zgjerojnë rrezen e veprimit të raketa balistike të Koresë së Veriut dhe janë më të vështira për t’u pikasur.
Koreja e Veriut ka testuar raketa SLBM edhe më parë, së fundmi në tetor 2019 kur lëshoi raketën e llojit Pukguksong-3 nga një platformë nënujore. Por deri më tani nuk kishte provuar nisjen e një rakete të tillë nga një nëndetëse.
Në vitin 2019, Koreja e Veriut publikoi fotografi të një nëndetëseje gjigande raketash balistike që po ndërtohej në portin Sinpo. Megjithatë nuk është e qartë nëse ajo ka përfunduar.
“Raketat SLBM të Koresë së Veriut janë ndoshta ende larg mundësisë së përdorimit operacional me mbushje bërthamore, por Kim (Jong Un) nuk mund të shfaqet politikisht si i prapambetur në garën rajonale të armatimit”, thotë Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha të Seulit.
Bisedimet kanë ngecur
Testimi nga Koreja e Veriut vjen ndërsa në Seul po takohen krerët e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut, thotë agjensia koreanojugore e lajmeve Yonhap.
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht rifillimin e bisedimeve me Korenë e Veriut, për të ulur tensionet dhe për të bërë progres për çarmatimin bërthamor.
“Për të arritur këtë objektiv, do të përpiqemi për hapa diplomatike me Korenë e Veriut për të arritur progres të prekshëm që do të rrisë sigurinë për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë. Kjo përfshin edhe angazhimin e mundshëm me Korenë e Veriut për të ulur tensionet”, tha të hënën në mbrëmje Sung Kim, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Korenë e Veriut.
“Nuk kemi qëllime armiqësore ndaj Koresë së Veriut dhe jemi të hapur të takohemi me ta pa parakushte”, shtoi ai.
Në një fjalim javën e kaluar, udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un e refuzoi ofertën.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar herë pas here sinjale se nuk janë armiqësore ndaj vendit tonë, por sjellja e tyre nuk na jep ndonjë arsye përse duhet t’u besojmë”, tha Kim Jong Uni, sipas mediave shtetërore koreanoveriore.
Gjatë javëve të fundit, Koreja e Veriut ka bërë deklarata për të kundërshtuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe praninë ushtarake amerikane në rajon./VOA