Donald Trump ka dhënë intervistën e tij të parë që nga bastisja në Mar-a-Lago. Ai ka pranuar që tensionet e retorikës politike duhet të ulen.
“Vendi është në një pozicion shumë të rrezikshëm. Ka një zemërim të jashtëzakonshëm, siç nuk e kam parë kurrë më parë, mbi të gjitha mashtrimet, vite mashtrimesh dhe gjueti shtrigash, dhe tani kjo tjetra”, ka theksuar Trump.
FBI-ja sekuestroi dosjet tepër sekrete gjatë një kontrolli në pronën e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Florida këtë javë. Agjentët gjetën 11 dosje dokumentesh, disa ishin të shënuara “TS/SCI”, një përcaktim për materialin që mund të shkaktojë dëme “jashtëzakonisht të rënda” në sigurinë kombëtare të SHBA. Por, ish-presidenti Trump mohoi çdo gjë duke thënë se sendet ishin deklasifikuar. Në SHBA është hera e parë që kontrollohej shtëpia e një ish-presidenti në një hetim penal. Lista e artikujve u bë publike të premten pasdite pasi një gjykatës hapi një dokument me shtatë faqe që përfshinte urdhër që autorizon kontrollin e rezidencës së zotit Trump në Palm Beach, Mar-a-Lago.
Ai tha se më shumë se 20 kuti me sende u morën të hënën, duke përfshirë një set fotografish, një letër të shkruar me dorë, informacione të paspecifikuara për “Presidentin e Francës” dhe një letër faljeje të shkruar në emër të aleatit prej një kohe të gjatë të Trump, Roger Stone, si dhe katër grupe dosjesh tepër sekrete, që përfshinin tre grupe “dokumentesh sekrete” dhe tre grupe materialesh “konfidenciale”. Urdhri tregon se agjentët e FBI-së po kërkonin shkelje të mundshme të Aktit të Spiunazhit, i cili e bën të paligjshme mbajtjen ose transmetimin e informacionit potencialisht të rrezikshëm të sigurisë kombëtare. Heqja e dokumenteve ose materialeve të klasifikuara është e ndaluar me ligj. Trump rriti dënimet për krimin teksa ishte në detyrë, i cili mund të dënohet deri në pesë vite burg. Urdhri thekson se vendet e kontrolluara në Mar-a-Lago përfshijnë një zonë të quajtur “zyra 45” dhe dhoma magazinimi, por jo suita private për mysafirë që përdoren nga Trump dhe stafi i tij. Departamenti i drejtësisë i kishte kërkuar një gjykate që ta bënte publike të enjten, një veprim i konsideruar i rrallë mes një hetimi që është në vazhdimësi, raporton BBC.
Ai u miratua nga një gjyqtar më 5 gusht, tre ditë përpara se të kryhej të hënën, më 8 gusht. Të premten mbrëma, zyra e Trump lëshoi një deklaratë duke pohuar se ai kishte përdorur autoritetin e tij kur ishte president për të deklasifikuar dokumentet. “Ai kishte një urdhër të përhershëm që dokumentet e hequra nga Zyra Ovale dhe të futura në rezidencë konsideroheshin të deklasifikuara. Fuqia për të klasifikuar dhe deklasifikuar dokumentet i takon vetëm Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ideja që një burokrat që shtyn letra, me autoritet klasifikimi të deleguar nga presidenti, duhet të miratojë deklasifikimin është absurd”, thuhet në deklaratë. Ekspertët ligjorë u kanë thënë mediave amerikane se është e paqartë nëse ky argument do të qëndrojë në gjykatë. “Presidentët mund të deklasifikojnë informacionin, por ata duhet të ndjekin një proçedurë”, tha për BBC Tom Dupree, një avokat që ka punuar më parë në departamentin e drejtësisë.