Dy ditë më parë, policia arrestoi dy të shpallur në kërkim, kapiteni dhe mekanikun e peshkarexhës, që kishin përshtatur një depozitë për mbajtjen e rreth 80.000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Të arrestuarit, Falmur Alia dhe Nuri Xheka, kanë dalë para gjykatës dhe janë njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndërkohë mbetet në kërkim administratori i peshkarexhës, Alban Malindi.
Alban Malindi është vëllai i biznesmenit Gentian Malindi që është në kërkim pasi dyshohet si pritësi i 137 kilogramëve kokainë që u bllokua në Portin e Durrës në vitin 2019. Të dy janë djemtë e avokatit, Ilir Malindi.
Ndërkohë, në dëshminë e tij, kapiteni Flamur Aliu ka sqaruar se nafta nuk është blerë me qëllim kontrabandën, por sepse rezervat e anijes kishin përfunduar dhe u duhej për t’u kthyer në Shqipëri. Ai ka shtuar se gjithë jetën ka punuar me ndershmëri dhe nuk e ka shkelur ligjin.
Dëshmia e Kapitenit:
Në datën 14 korrik 2022 pasi bëmë përgatitjet për gjueti dhe ishim regjistruar në Kapitenarinë detare Durrës, u nisëm për gjueti peshku. Mbasi hodhëm rrjetën udhëtuam në drejtim të jugut të Shqipërisë për në ujërat ndërkombëtare. Dua të theksoj se dolëm në ujërat ndërkombëtare duke tërhequr rrjetat e peshkimit dhe zumë peshk dhe e sistemuam nëpër arka dhe e futëm në frigorifer.
Kjo gjueti vazhdoi për rreth 7 ditë nëpër ujërat ndërkombëtare të detit Mesdhe në drejtim të shtetit të Libisë.
Dua te theksoj se sasia e naftës që kishim për udhëtim vajti deri në fund.
Me që mua më kishin thënë se në Libi, në qytetin e Bengazit nafta ishte shumë e lirë. Mu mbush mendja duke u thënë edhe marinarëve që me që nafta po mbaronte u drejtuam tek ky qytet. Unë kisha ngarkesë peshku të kualitetit të lartë që në Bengazi shkonte mbi 100 dollar për kile. Kështu që unë në marrëveshje me disa libianë që flisnin italisht ramë dakord që ata të më blinin peshkun dhe të më furnizonin me naftë për motorin e anijes. Sipas llogaritjeve, peshkun libianet e vlerësuan në 20.000 dollarë dhe blerjen e naftës e bëmë në të zezë ku peshku i konvertuar në dollarë u llogaritën për naftë në një litër 0.25 dollar.
Kështu me furnizimin e ri me naftë që çmimi ishte 10 herë më i lirë se në Shqipëri u nisëm për në Durrës dhe mbërritëm aty në mëngjesin e datës 22 korrik 2022 rreth orës 8.30.
Nga që marinarët ishin të lodhur dhe të pa ndërruar i urdhërova që të iknin në shtëpitë e tyre dhe vetë u nisa në banesë dhe me pas shkova në Tepelenë. Dua të theksoje se këtë sasi nafte që i takonte anijes meqë binte ditë e shtunë ose e djelë e lashë për ditën e hënë 25 korrik 2022 që ta raportoja në Doganë në datën 23 korrik 2022 ditën e shtunë duke parë televizorin në Tepelenë kishte dalë emri im dhe akuzohesha se kisha bërë kontrabandë.
U çudita dhe njëkohësisht i revoltuar erdha ditën e hënë dhe u paraqita me avokatin tim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Meqë nuk kishte prokuror të gatshëm na thanë se do të hidhet shorti se kujt prokurori do ti kalonte kjo çështje për të cilën unë akuzohesha nga policia. Në këto kushte unë jam i gatshëm të paraqitem në Prokurori dhe ti deklaroj gjithë ato që thashë më sipër mbasi e ndjej veten të pastër.
Marrja e kësaj sasie nafte prej 73 mijë litra ishte vetëm për motorin e anijes për shume rrugë dhe kostoja na dilte pozitive në krahasim me çmimin e naftës që shitet në Shqipëri.
Ne kemi të drejtë të blejmë naftë ku do, por nuk duhet të shkelim ligjet e shtetit shqiptar.