Vëllai i trafikantit të drogës dhe djali i avokatit të njohur, kush është Alban Malindi që kërkohet për kontrabandim nafte

Policia ka arrestuar të gjithë personat përgjegjës për naftën kontrabandë që u kap në portin e Durrësit dhe gjithashtu ka sekuestruar peshkarexhën, po nuk ka arritur të vërë në pranga Alban Malindin, administratorin e mjetit lundrues.

Alban Malindi është vëllai i biznesmenit Gentian Malindi që është në kërkim pasi dyshohet si pritësi i 137 kilogramëve kokainë që u bllokua në Portin e Durrës në vitin 2019. Të dy janë djemtë e avokatit, Ilir Malindi.

Kujtojmë se, rreth 137 kilogram kokainë, drogë e klasit të parë dhe një nga më të kushtueshmet në treg, ishte fshehur në katër kontejnerë të mbushur me banane që vinin nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Porositësit e drogës, të pikasur nga DEA amerikane, kishin shfrytëzuar itinerarin e importit të frutave ekzotike për të transportuar brenda kontejnerëve edhe “dërgesën” e tyre.

Me autorizimin e DEA-s amerikane, kur kontejnerët mbërritën në portin e Pireut në Greqi u krye edhe zëvendësimi i kokainës me oriz. Kështu autoritetet ishin një hap para trafikantëve. Në Shqipëri diçka mesa duket nuk shkoi siç duhej, dhe personi i dyshuar si porositësi Gentian Malindi, arriti të arratisej pasi hapi një prej pakove dhe pa se aty nuk kishte kokainë por oriz.

Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij para oficerëve të çështjes, Ardian Bega, oficer sigurie në portin e Durrësit, pohoi se ishte kontaktuar nga Gentian Malindi që të merrte diçka në kontejnerët me banane, brenda të cilave kishte 137 kg kokainë. Po sipas Begës, pasi Malindi kishte pikasur se ishte në vëzhgim nga policia, e kishte hedhur drogën nga makina në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për trafikim të lëndëve narkotike. Ai është arrestuar më parë dhe për një sasi prej 500 kilogramë hashash, që ishin transportuar nga Lazarati në drejtim të Durrësit. Malindi ka në pronësi të tij një anije peshkimi në qytetin e Durrësit. Më herët ai është bërë pjesë e mediave, me një denoncim të tij në drejtim të policisë. Biznesmeni durrsak pretendonte se kontrollet e shpeshta të bëra nga ana e policisë po dëmtonin rëndë biznesin e tij.