Elton Ilirjani është bërë një hero i padiskutueshëm për një pjesë të popullit shqiptar, pasi iu gjend menjëherë pranë ikonës Parashqevi Simaku, pas pamjeve të saj që shfaqeshin në një gjendje të mjerueshme. Kur pamjet u bënë virale, Eltoni siguroi për të një qëndrim trejavorsh në hotel, ushqim, veshje dhe nevoja të tjera jetësore.
Megjithatë, mënyra se si ai ka dokumentuar dhe publikuar çdo moment të kësaj ndihme ka shkaktuar polemika. Eltoni ka publikuar në rrjet çdo detaj të jetës së Parashqevisë gjatë asaj periudhe, duke përfshirë momentet kur e ushqen, kur hyn dhe del nga dushi, sa orë fjeti dhe shumë detaje të tjera të jetës së saj.
Pjesa tjetër e publikut ka reaguar negativisht ndaj këtij veprimi, duke e kritikuar Eltonin për mungesë respekti dhe etikë në trajtimin e një momenti kaq të ndjeshëm. Këto reagime janë intensifikuar pas një komenti të bërë nga vetë Eltoni, një ditë përpara se të takonte Parashqevinë dhe ta publikonte atë në rrjetet sociale. Në një postim në Instagram, ku shihej Parashqevi duke marrë ndihmë si e pastrehë në Amerikë, Eltoni komentoi: “Hiqeni nga postimi. Nuk po bëni mirë,” dhe e shoqëroi me një tjetër replikë: “Tmerr!”
Ky koment dhe veprimet e tij kanë nxitur një diskutim të gjerë për etikën e ndihmës dhe privacitetin e individëve në situata të tilla.