Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po qëndron në Hagë për t’i vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim, ka thënë se institucionet e Kosovës e shohin me shqetësim Gjykatën Specale.
Konjufca, ka shtuar se kjo Gjykatë nuk është bërë prej qefit, por prej zorit.
Ai sot do t’i vizitojë Krasniqin, Shalën e Selimin, ndërsa nesër do ta vizitojë Thaçin e Veselin.
“Me iu thënë të drejtën ne si Kosovë i shohim me shumë shqetësim. Shqetësuese ka qenë vet ekzistenca themelimi i kësaj Gjykate. Edhe ata që kanë menduar që është e pashmangshme edhe ata kanë pasur vërejtjet e veta në atë kohë kur është themeluar. Pra nuk është se është bërë prej qefit, ka qenë një far gjykate e zorit më thënë të drejtën, edhe ata që e kanë ngritur dorën kanë menduar se po të mos të bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë së prapë Kosovë do të pësonte. E di që në atë kohë nuk ka qenë e lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar “për” ”, ka thënë i pari i Kuvendit në një intervistë për RTK.
Ai është shfaqur prapë kritik ndaj kësaj Gjykate duke thënë se po bëhen dy vite që krerët e UÇK-së janë në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor nuk ka filluar ende.
“Puna e saj deri tashme ka shumë defekte. Ajo që menjëherë ta merr vëmendjen, është se po bëhen dy vjet që këta janë të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, ka shtuar Konjufca.
Megjithatë, ai nuk do të mund të takohet me ish-komandantin tjetër, Salih Mustafa, për shkak se procedura gjyqësore në të cilën ai ndodhet aktualisht, është në një fazë specifike.