Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me akuzat se kompjuterët e MEK janë dërguar në Iran.
Në një reagim zyrtar thueht se nuk ka pasur kontakte me Iranin. Më herët, Berisha jashtë Kuvendit deklaroi se kryeministri Edi Rama ka dorëzuar kompjuterët e muxhahedinëve në Iran, duke e cilësuar si aktin më të lartë të tradhtisë.
“Një komunikatë e Frontit të Rezistencës së Muxhahedinëve, informon se 232 kompjutera të qendrës së Manzës, kanë përfunduar në Teheran. Kjo komunikatë është e zëdhënësit të qeverisë apo të Këshillit Informativ të Iranit.
Nëse kjo është e vërtetëë, ky përbën një akt të tradhtisë më të lartë që mund t’i bëhet lirisë, që mund të jetë bërë ndonjëherë në Shqipëri, kur një grup njerëzish, rezistentë ndaj njërit prej regjimeve më gjakësore, ju kujtoj se janë ekzekutuar nga ajatollahët 300 të rinj dhe të reja, të cilët kanë protestuar dhe protestojnë për liritë dhe të drejtat njerëzore”, deklaroi Berisha.
Sakaq, Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar sqaron se asnjë nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara dhe asnjë material i nxjerrë nga këto pajisje, nuk është dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
REAGIMI I PLOTË:
Përgënjeshtrim në lidhje me disa lajme që qarkullojnë në media, mbi pajisjet e sekuestruara tek kampi ASHRAF 3, në Manzë, Durrës.
Policia e Shtetit prej disa ditësh, ndjek në rrjete sociale dhe në media, njoftime të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me veprimet e kryera nga Policia, përsa i përket pajisjeve të sekuestruara në kampin ASHRAF 3, në Manzë, Durrës, më datë 20.06.2023.
Në këto njoftime bëhet me dije apo lihet të nënkuptohet, se pajisjet kompjuterike të sekuestruara në kampin ASHRAF 3, në Manzë, Durrës, më datë 20.06.2023, janë dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe se ka patur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti, në lidhje me to apo për më gjerë përsa u përket hetimeve që po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Përsa sipër Policia e Shtetit sqaron se:
- Asnjë nga strukturat e saj hetimore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka patur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti.
- Të gjitha pajisjet e sekuestruara janë vendosur në dispozicion të strukturës përkatëse e cila do të kryejë ekspertimet digjitale, sipas procedurës ligjore.
- Asnjë nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara dhe asnjë material i nxjerrë nga këto pajisje, nuk është dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Të gjitha njoftimet që qarkullojnë në rrjete sociale dhe media për sa më sipër, janë jo vetëm të rreme por dhe në raste specifike kanë qëllime të tjera të cilat shkojnë përtej informimit të publikut.
Policia e Shtetit qëndron gjithmonë në dispozicion dhe në mbrojtje të interesave të ligjshme të qytetarëve të saj dhe të kujtdo që banon në Republikën e Shqipërisë./Albeu.com.