Kolegji rrëzon kërkesën e opozitës për përjashtimin e 7 gjyqtarëve

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të përjashtuar 7 gjyqtarët që rrëzuan kërkesën e opozitës për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare në tre qarqe.

Trupa e kolegjit i ka cilësuar pretendimet e PD-së si të pabazuara. “Ditën e djeshme është paraqitur një kërkesë nga ana e PD-së për përjashtimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Ne e kemi marrë në shqyrtim sot, 8 qershor në orën 08:30 dhe në përfundim kemi gjetur të pabazuara pretendimet e PD-së. Prevalon vazhdimësia institucionale e Kolegjit Zgjedhor. Neni 151 i Kodit i ka përcaktuar Kolegjit të drejtën për të vendosur lidhur me kërkesat e tij”, tha gjyqtarja.

Në kërkesën për zëvendësimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, PD argumentoi se duke qenë se këta gjyqtarë e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre kundër kërkesave të PD për zgjedhjet, ata do të vazhdojnë me të njëjtin qëndrim.

PD-ja një ditë më parë kërkoi përjashtimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që refuzuan transparencën e zgjedhjeve në 3 qarqe; Gjirokastër, Vlorë dhe Berat.

“Me vendimet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgjedhore te 25 prillit,” shkruhej në kërkesën e PD-së.

“Refuzimi i kërkesave të PD-së për marrjen zyrtarisht të provave i vendos këta gjyqtarë në pamundësi për të gjykuar me paanësi 6 kërkesat e tjera të ngjashme te PD për blerjen e votës dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes përdorimit të shtetit në funksion të PS” thuhet në njoftimin për media.


Shtuar 8.06.2021 12:05