Policia e Dibës ka arrestuar, 19- vjeçarin Ergis Selimi, i cili në datën e djeshme, aksidentoi me pasojë vdekjen një këmbësor në fshatin Suç të Bashkisë Klos.
41- vjeçari u përplas për vdekje në rrugën e fshatit Kurdari, pak metra larg kishës së fshatit.
Leonard Doçi, po lëvizte në këmbë nga fshati Kurdari për në rrugën nacionale Klos-Burrel, kur është goditur nga automjeti tip benz më drejtues 19- vjeçarin Ergis Selimi.
Përplasja ka qenë e fortë, teksa e ka zhvendosur disa metra larg 41- vjeçarin, duke e nxjerrë jashtë rrugës dhe ka humbur jetën.
Automjeti ka lëvizur në kanal përreth 30 metra ku dhe ka ngecur aty.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër. Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në rrugën dytësore të fshatrave Kurdari-Suç, ju informojmë se, Sektori i Policisë Rrugore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Ergis Selimi, 19 vjeç, banues në fshatin Kurdari, i cili teksa drejtonte një automjet tip “Benz”, ka aksidentuar me pasojë vdekjen një 42-vjeçar (këmbësor).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.