Gazetarja Klodiana Lala ka treguar prapaskenat në lidhje me seancën maratonë nga gjyqi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në ‘News24’ Lala tregoi orët e ankthit dhe pritjen e gjatë të ish-ministrit në ambientet e gjykatës dhe se si e priti ai lajmin.
“Ka qenë një ditë e gjatë dhe e tensionuar, pasi Apeli i GJKKO kishte përcaktuar orën 13:00 për të shpallur vendimin për Tahirin. Zoti Tahiri mbërriti në gjykatën e Apelit në 12:30 minuta, i shoqëruar nga avokati. Jashtë e prisnin njerëz të tij të afërt.
Pasi kreu procedurat e kontrollit, hymë bashkë me të në orën 12:45 minuta. S’ka pasur asnjë shkëmbim bisede të Tahirit me avokatin. Ai ishte i tensionuar. E shprehte. Kuptohej që kishte ankth.
Dikur rreth orës 14:10 minuta, një nga përfaqësuesit e Gjykatës na është lutur që të linim ambientet e Apelit të GJKKO. Zoti Tahiri pinte cigare, lëvizte në hollin e gjykatës. Mbante distancë nga mediat. Disa herë i sollën ujë, paketa me cigare. Kur shkuan rreth 4 orë pritje, filloi të shprehte shqetësim. Fliste me zotin Haxhiaj, e pyeste. Disa gazetarë i pyeti “si e shpjegoni ju këtë?!”
Më pas u lejuam që të hynim brenda dhe seanca të ishte publike. të ishin dhe kamerat. Por kryesuesi i e bëri pyetjen për zotin Tahiri dhe zotin Çela, dhe ish-ministri tha se nuk kishte problem. Kur u dha vendimi pati tronditje. Kur u kthye nga kamerat, se ne ishim live, shtrëngonte duart, ishte i prerë në fytyrë. Më pas e mblodhi veten dhe u kthye nga mediat. Ishte zoti Tahiri ai që i jepte kurajo zotit Haxhiaj. Zoti Haxhiaj e shpjegoi dhe jashtë. S’e priste një vendim të tillë. Por tashmë ka një fakt që zoti Tahiri është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg.”, pohoi Lala.
Duke u ndalur te trupa gjykuese, Lala tha se: “Engert Pëllumbi ka kaluar vettingun, nuk i është gjetur asnjë gjë e dyshimtë në karrierën e tij. Në 2020-ën u caktua në Apelin e Vlorës. Më pas u caktua në Apelin e Posaçëm vetëm për rastin Tahiri. Ishte kandidat potencial për të kaluar në këtë çështje, pasi kishte kaluar vettingun.”.
Mes të tjerash Lala tregoi se pasi Tahirit iu vendosën prangat, ai u dërgua në ambientet e Policisë së Tiranës dhe më pas në burgun 313, ku u la i vetëm në qeli. Ajo tha se nata e parë në qeli për Tahirin ka qenë e qetë ndërsa shtoi se ai nuk kishte kërkuar asgjë, përveçse i kishin çuar cigare dhe disa veshje.
“Ka qenë se një nga opsionet ishte dhe ky vendim. Prangat u vunë në katin e nëndheshëm të gjykatës. I dhanë të drejtën e një telefonate. Më pas ai bëri dhe një reagim në rrjetet sociale. Më pas ai u transferua nga ambientet e gjykatës në ambientet e Drejtorisë së Policisë dhe ka dorëzuar sendet personale se ashtu është procedura. Më pas u dërgua në godinën nr 2 të burgut 313. Ligji parashikon që kur vendim i është i formës së prerë, ekzekutohet menjëherë. Është tërësisht ligjore se si ka vepruar policia. Por ai nuk kishte asnjë rrezik për t’u larguar. Ai ishte i përgatitur për të gjitha opsionet.
Ai u vendos në godinën nr.2 në burgun 313. Nga bisedat që kam bërë me zyrtarët e burgut, ai s’ka shfaqur shqetësim gjatë natës. S’ka bërë asnjë kërkesë. I kanë dërguar cigare dhe disa rroba që i duheshin gjatë natës. Është i çuar nga të dënuarit e tjerë. Ka specifika rasti kur bëhet fjalë për një ministër. Do të duhet të merren masat për të mos rrezikuar jetën e tij në burg. Ai do të shkojë në një burg të zakonshëm, por nuk është vendosur ende. Ky vendim është marrë pasi dënimi është i masës së lehtë. Ai është niveli më i lartë i zyrtarit që është arrestuar tani. Për shkak të qasjes së tij në publik, me mbështetjen e tij direkte të kryeministrit, bëhet fjalë për një rast të veçantë.”, tha ajo./ BW