“Kjo është zgjidhja më e mirë”, çfarë propozojnë prindërit e Babisit për kujdestarinë e Lidias

Pasi nënën ia vrau babai dhe ai përfundoi në burg, jeta e vogëlushes Lidia ka mbetur në duart e gjyshërve.

Të dyja familjet, si ajo e Caroline, por dhe ajo e Babisit, kanë kërkuar të marrin kujdestarinë e vajzës. Familja e 20-vjeçares kërkon që të sigurojnë kujdestarinë e plotë të mbesës së tyre, me pretendimin se në Athinë, ajo do të njihej si vajza e personit që i vrau të ëmën.

Ndërkohë, nga krahu tjetër, prindërit e pilotit, kanë kërkuar që kujdestaria t’i kalojë të dyja palëve. Pra, nga muaji tetor, e deri në prill, të kenë ata të drejtën për t’u kujdesur për vajzën, e në muajt në vazhdim, e mitura të qëndrojë te prindërit e mamasë. Këtë kërkesë e ka konfirmuar avokati i familjes së pilotit, Giannis Kotsos.

“Ne kemi bërë një kërkesë të qartë. Kemi kërkuar që kujdestaria të ndahet në mënyrë të barabartë, si për gjyshërit nga ana e babait dhe gjyshërit nga ana e mamasë. Kjo është e dobishme dhe e nevojshme për rritjen e qetë të vajzës”, ka thënë avokati.

Ana, një familjare e pilotit ka thënë: “Zgjidhja e propozuar është shumë e mirë. Do të krijohet një marrëdhënie e ngushtë emocionale mes dy familjeve dhe mbesës ë mitur. Për këtë duhet durim dhe kohë, por më besoni, është në të mirën e të gjithëve”.

Shtuar 24.06.2021 20:36