Me këngë, valle, hare dhe ngjyra, kështu iu urua mirëseardhja Ditës së Verës në të gjithë vendin. Qyteti i Elbasanit mbetet kryeqendra e festimeve për Ditën e Verës, ku qe nga fillimi i javës u zhvilluan aktivitete dhe koncerte, të cilat kulmuan më 14 Mars. B
anda Frymore e qytetit mbajti një paradë në sheshin kryesor të Elbasanit, ndërsa fëmijë e të rritur u bënë pjesë e aktiviteteve të shumta.
Sipas traditës, amvisat elbasanase kishin përgatitur ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste, ballokumen, e cila gjendej në çdo stendë të panairit te kulinarisë të ngritur në qytet.
Qytetarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, si dhe emigrantë të shumtë iu bashkuan festës në Elbasan.
Edhe në Tiranë u kremtua Dita e Verës, ku qytetarë të shumtë iu bashkuan festës së organizuar në kryeqytet. Vëmendja më e madhe në këtë ditë iu kushtua fëmijëve, të cilët vunë veroret dhe shijuan atmosferën festive të ditës që shënjon ardhjen e pranverës.
Festimet për Ditën e Verës në juglindje të vendit nisën mbrëmjen e 13 marsit, ku sipas riteve pagane u ndezën zjarre që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Festimet vijuan edhe përgjatë 14 Marsit.
Gjirokastra mirëpriti Ditën e Verës me një atmosferë të ngrohtë, duke e shndërruar Parkun Natyror të Viroit në qendrën e aktiviteteve për të gjithë të pranishmit. Festimet nisën me koncertin e fëmijëve, ndërsa panairi i ushqimeve tradicionale tërhoqi vëmendjen e vizitorëve.
Edhe në Durrës e Vlorë u mbajtën aktivitete të shumta, ku dy qytetet bregdetare janë veshur me petkat e pranverës, për të mirëpritur kështu turistë nga e gjithë bota.
Me ngjyrat e pranverës, plot këngë dhe valle u kremtua Dita e Verës edhe në Lushnje e Kavajë, ku performancat artistike të fëmijëve i dhanë jetë kësaj feste.