“Ke humbur tri herë, ik”, Ristani debaton me Bashën në Këshillin e PD-së

Një nga zërat kundër kryedemokratit Lulzim Basha, Arben Ristani nuk është kursyer në kritika ndaj kreut të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Ristani ka kërkuar largimin e Bashës, duke i përmendur këtij të fundit humbjet e njëpasnjëshme.

“Mund ta duartrokasim sa të duam kryetarin apo atë që mbështet kryetarin, por dhe 4 vjet të tjera jemi në opozitë. Duhet të kemi shpresë të fitojmë pas 4 vjetëve dhe jo të vijmë prapë këtu si sot. Nga Rama nuk presim asgjë tjetër. Rama i tillë mbetet. Kryetari ka thënë se “po ma hodhe njëherë është faji jot, po ma hodhe dy është faji im. Tani meqë ta hodhi dy herë, ik. Ke humbur tri herë. Dhe një herë që fitove e dimë të gjithë si fitove. Më duket i nxituar dhe i shpejtë ky proces. Më duket si projektuar për të mbaruar punë shpejtë e shpejtë. Me këtë mënyrë drejtimi do humbasim prapë. PD duhet të bëhet demokratike. Rama nuk mundet me të njëjtin model. Mundet vetëm me modelin e demokratit, duke i nxjerrë njerëzit në zgjedhje dhe duke i frymëzuar ata,”- u shpreh Ristani.


Shtuar 16.05.2021 22:56