Uniformat blu, kanë vënë në pranga një 47-vjeçar, pasi brenda 24 orëve, grabiti 3 banesa në Golem të Kavajës.
Policia bën me dije se në tre grabitjet, autori ka vjedhur shumat 30 000 lekë, 100 000 lekë, 7000 euro dhe 3000 dollarë.
Njoftimi i policisë:
“Vodhi në të njëjtën ditë, shuma parash, në 3 banesa, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçari, i dënuar më parë, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen para dhe sende të dyshuara të vjedhura, si dhe sende të tjera që përdoreshin gjatë vjedhjeve.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe intensive, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e disa vjedhjeve të kryera në Golem, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Ben Sula, 47-vjeç, banues në Rrogozhinë.
Gjykata e Durrësit, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet rezultoi se më datë 24.12.2023, ka vjedhur në 3 banesa në Golem, shumat 30 000 lekë, 100 000 lekë, 7000 euro dhe 3000 dollarë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, 3 ora dore, 2 m fitil zjarrpërcjellës dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura, si dhe doreza, kapuç, gërshërë, automjet dhe veshje që dyshohet se përdoreshin nga shtetasi B. S., gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Po hetohet për të provuar ligjërisht vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 47-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.