Katër të vdekur nga zjarri në Tivar të Malit të Zi, mes tyre 3 fëmijë të mitur

Mëngjesin e sotëm, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tivar, në Mal të Zi, një zjarr ka shpërthyer duke shkaktuar vdekjen e katër personave, mes tyre edhe fëmijë.

Zjarri, që shpërtheu rreth orës 04:00, përfshiu disa objekte dhe më pas u njoftua zjarrfikësja.

Siç tha prokurorja Mirjana Tankosiç Vuçiniç për Radion Evropa e Lirë, katër trupat e pajetë u gjetën në vendngjarje.

“Kemi gjetur katër baraka të djegura dhe katër trupa të djegur në to. Shkaku i zjarrit do të dihet pas vlerësimit të ekspertëve”, tha ajo.

Zjarri përfshiu një lagje të improvizuar ku jetojnë kryesisht romë. Këshilli i Romëve në Mal të Zi tha se kjo tragjedi tregon se sa është e nevojshme shpërngulja e familjeve rome nga lagje të tilla.

“Fakti që shumë familje detyrohen të jetojnë në baraka të parafabrikuara, pa kushte dhe siguri adekuate, është një problem serioz social. Pa mbështetjen dhe masat e duhura mbrojtëse, këto familje janë të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh të aksidenteve siç është ky zjarr”, tha këshilli.

Këshilli i Romëve u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që të përmirësojnë kushtet e banimit për popullatën rome në Tivar dhe në mbarë Malin e Zi.

 


Shtuar 15.02.2024 14:19