Kapja e 400 kg kokainë në Kosovë, Veliu merr merita: Policia Shqiptare ia doli

Pas finalizmit me sukses të operacionit ndërkombëtar antidrogë Itali – Shqipëri – Kosovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka falenderuar strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Kufirit.

Paraditen e sotme, Veliu, gjatë një takimi me Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, Drejtorin e Departamentit të Policisë Kufitare Eduart Merkaj dhe me drejtuesit e strukturave në varësi të tyre që morën pjesë në operacionin ndërkombëtar antidrogë, ka shprehur vlerësimin maksimal për profesionalizmin e treguar, koordinimin e veprimeve mes homologëve, si dhe më kryesoren ruajtjen e kofidencialitetit që çoi në finalizimin me sukses të operacionit gjatë të cilit u sekuestruan 400 kg kokainë dhe u vunë në pranga 7 persona.

“Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit dhe oficerët e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Policisë Kufitare, për angazhimin dhe kontributin në finalizimin e këtij operacioni shumë të suksesshëm, rezultatet e të cilit treguan dhe njëherë më së miri që ne, Policia Shqiptare, jemi tashmë partner i besueshëm, jemi një strukturë që ka arritur pjekurinë dhe profesionalizimin për të bashkëpunuar si e barabartë me të gjitha agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.

Është për t’u vlerësuar jo vetëm finalizimi me sukses i këtij operacioni, por edhe qëndrueshmëria dhe ruajtja e kofidencialitetit dhe e mosdekonspirimit të asnjë veprimi gjatë 15 ditëve të zgjatjes së operacionit.

Të gjithë ju që jeni këtu në sallë e disa nga vartësit e tjerë që mungojnë, të cilët mund të jenë në terren me detyra të tjera, e dinin se çfarë pritshmërie kishin, por nuk na rrodhi asnjë lloj informacioni, asnjë detaj pavarësisht se ishin prezent në terren shumë oficerë nga disa struktura dhe ja arritëm ta finalizonim me sukses.

Falënderimi kalon për çdo njërin jo vetëm nga ju në sallë, por për të gjithë kolegët që kanë kontribuar në finalizimin e këtij operacioni.

Uroj  dhe shpresoj që ky rast të na shërbejë si një ogur i mirë që ne të jemi më të organizuar edhe në raste të tjera ku ne do të ballafaqohemi me informacione të kësaj natyre, pavarësisht destinacionit të ngarkesave të realizojmë dhe organizojmë punën për të mbërritur tek pritësit apo për ta thelluar procesin deri në fund. Shumë faleminderit edhe njëherë dhe suksese”, tha Veliu/albeu.com


Shtuar 19.05.2021 12:26