Sipas policisë dhe prokurorisë, Laert Haxhiu ishte kthyer gjatë viteve të fundit në një person që merrte porosi për vrasje dhe ngjarje të tjera kriminale dhe ose i kryente vetë në bashkëpunim ose porosiste të tjerë. Por, janë të paktën 7-8 krime që prokuroria i ka dokumentuar se janë kryer nga Haxhiu sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani.
Mes këtyre vrasjeve është edhe ajo e Lulzim Qorrit në Athinë.
“Laert Haxhiu është organizatori dhe porositësi i vrasjeve në Athinë të Lulzim Qorrit dhe Dikens Halili. Të dhënat do i çohen autoriteteve në Athinë” tha Rrumbullaku gjatë paradites së sotme.
Lulzim Qorri lindur e banues në Grabian të Lushnjës, i arrestuar nga policia shqiptare për trafik droge u vra më 12 dhjetor 2018 rreth orës 22:40 në një bar në rrugën “Kritis 23” në Athinë.
Ai u qëllua me plumb në kokë, teksa ndodhej i ulur në një vend pranë vitrinës së lokalit. Autori e qëlloi nga jashtë dhe më pas u largua me një motor që drejtohej nga bashkëpunëtori i tij.
Lexo edhe: Kush është Klea, e dashura dhe korrierja e Laert Haxhiut: Zbardhen atentatet e bujshme në Shqipëri dhe Greqi
Artan Tafani, 39-vjeçari i arrestuar 4 ditë më parë, pasi ishte në kërkim për vjedhjen në një ‘Exchange’, ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbërthyer 20 ngjarje të rënda kriminale, mes tyre dhe 6 vrasje. 39-vjeçari, i cili rezulton të jetë pjesë e bandës kriminale të Laert Haxhiut, në Lushnjë, ka zbuluar se dy prej vrasjeve të zbardhura kanë ndodhur në Greqi ndërsa 4 të tjerat kanë ndodhur në Elbasan Korçë, Lushnje, Tepelenë.
6 vrasjet e bujshme janë: Çajup Selimi, Alban Semaku, Albi Bashaliu, Lulzim Qorri, Fridmand Xhaferraj, Dikens Halili. /albeu.com