Gjatë prezantimit të ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama, deklaroi se shkeljet në procedurat e prokurimit nuk duhet të ndëshkohen automatikisht me burgim.
Sipas tij, përgjegjësia penale duhet të përcaktohet në varësi të natyrës së shkeljes dhe pasojave konkrete që ajo ka sjellë.
Të lidhura
None found
Qëndrimi i kreut të qeverisë është kundërshtuar nga nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi. Ky i fundit e interpretoi deklaratën si një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët e përfshirë në abuzime me tenderat, duke thënë se Rama po vendos interesat e tij dhe të bashkëpunëtorëve mbi nevojat e vendit.
Këlliçi solli si shembull rastin e Belinda Ballukut, për të cilën, sipas SPAK, shkelja e barazisë në tendera lidhet me abuzimin me 1.2 miliardë euro nga buxheti i shqiptarëve.
Sipas tij, qëndrimi i Edi Ramës e trajton këtë si një vepër të lehtë që nuk duhet të pasohet nga dënimi me burg.
“Edi Rama po dëshmon edhe një herë se prioriteti i tij është mbrojtja e vetes dhe e bashkëpunëtorëve. Në vend që të dobësohet lufta ndaj shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera, Shqipëria duhet ta forcojë atë”, u shpreh nënkryetari i PD-së.
Ai e akuzoi kryeministrin se ka mbështetur publikisht persona të tij të kapur në abuzime, ka garantuar për figurën dhe gjendjen e tyre ekonomike, si dhe ka siguruar 82 vota në Kuvend kundër drejtësisë dhe në mbështetje të zëvendëses së tij.
Sipas Këlliçit, propozimi për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale synon që personat e akuzuar për shpërdorim detyre ose për shkelje të barazisë në tendera të mos përfundojnë në burg, ndërsa gjatë hetimit të vijojnë të ushtrojnë detyrën dhe të zhvillojnë procedurat në të njëjtën mënyrë.
