Jasir Asani: Jemi gati dhe më të fortë se kurrë më parë

Për futbollistin shqiptar nga Maqedonia e Veriut Jasir Asani, viti 2023 ishte më i miri në karrierën e tij. Ai shkëlqeu në fanellën e Kombëtares shqiptare, të cilën me golat dhe kontributin e tij, e ndihmoi që të kualifikohej në Kampionat Evropian.

Tashmë, futbollisti ofensiv do ta nisë vitin 2024 me ambicie të mëdha, si me klubin e tij ashtu edhe me kuqezinjtë.

Ndonëse pritej një rikthim i tij në futbollin evropian, 28-vjeçari mbeti megjithatë në Korenë e Jugut, respektivisht në ekipin Gwngju FC.

Ish-futbollisti i Vardarit, Shkupit, Pobedas, Partizanit, AIK e Kisvarda, e ka bërë një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit i ka shprehur ambiciet e tij për vitin 2024, duke u shprehur optimist se ky do të jetë një vit pozitiv dhe i suksesshëm për të dhe për shqiptarët në përgjithësi.

“Jemi gati për sezonin e ri, më të fortë se kurrë më parë, do të jetë viti ynë”, shkroi Asani në rrjetet sociale.

Kombëtarja shqiptare e siguroi kualifikimin e dytë në një Kampionat Evropian brenda tetë vjetësh, ndërsa në Euro 2024 ka përfunduar në grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.


Shtuar 22.02.2024 14:15