Disa javë pas armëpushimit me Gazën, Izraeli ka thënë se ndërtesa mediatike që u shemb në një prej sulmeve ajërore, ishte vendi ku grupi militant Hamas po përpiqej të bllokonte sistemin e tij të mbrojtjes nga raketat “Kupola e Hekurt”.
Bëhet fjalë për kullën ku ndodheshin zyrat e Associated Press (AP) dhe Al Jazeera, informon albeu.com.
Duke i shpjeguar sulmin AP në Neë York, i dërguari i Izraelit në OKB gjithashtu ofroi ndihmë në rindërtimin e zyrave të tij në Gaza.
Agjencia e lajmeve AP e mirëpriti takimin, por tha se ende nuk kishte parë prova për të mbështetur pretendimet izraelite.
Hamas, grupi militant palestinez që kontrollon Gazën, nuk ka bërë asnjë koment ende mbi pretendimet e Izraelit.
Konflikti i fundit filloi pas disa javësh tensioni izraelito-palestinez në Jeruzalemin Lindor të okupuar, i cili kulmoi me përplasjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë, informon albeu.com.
Hamasi filloi të qëllonte me raketa Izraelin, pasi e paralajmëroi atë të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse.
11 ditë luftimesh të ashpra lanë pas 256 njerëz të vdekur në Gaza, sipas Kombeve të Bashkuara, dhe 13 njerëz të vrarë në Izrael. Më 21 maj, pas thirrjeve të shumta nga liderët botërore, më në fund u arrit armëpushimi./albeu.com