Italia shtrëngoi masat anti-Covid, bllokohen në aeroport 100 shqiptarë të Kosovës

Rreth 100 pasagjerë me pasaporta të Kosovës, nuk janë lejuar të premten më 17 dhjetor, që të udhëtojnë për në Itali, ka njoftuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se këta qytetarë janë ndaluar për shkak të ndalesave të reja nga qeveria italiane, si masa mbrojtëse nga COVID-19.

“Ne vazhdimisht kërkojmë nga udhëtarët që para se të udhëtojnë t’i referohen rregullave të fundit të shtetit për ku ata udhëtojnë. Udhëtarët të cilet sot (17 dhjetor) nuk janë lejuar të regjistrohen në sportel, është për shkak të ndalesave të reja të shtetit italian, të cilat janë edhe të publikuara në web faqën zyrtare të Ambasadës së Italisë në Kosovë”, tha Gara përmes një përgjigje me shkrim.

Gara shtoi se udhëtarët çdo ankesë të tyre duhet ta dërgojnë në kompaninë ajrore me të cilën kishin planifikuar udhëtimin.

Qytetarët e Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm, mund të mos lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pasi blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë.

Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit./REL


Shtuar 17.12.2021 20:33